Makabi i Tel Avivit, që eliminoi Tiranën në Europa League, është tashmë në play-off. Në turin e shkuar eliminoi Panioniosin grek, duke fituar në të dyja përballjet. Asgjë anormale, por ka një histori tjetër që të lë pa fjalë në këtë përballje.
Dy futbollistë iranianë të Panioniosit, Ehsan Haxhi Safi dhe Masud Shoxhaei, janë përjashtuar nga kombëtarja e Iranit, pas ndeshjes së kthimit në Greqi.
Arsyeja absurde: pranuan të luajnë kundër një ekipi izraelit dhe në Iran kjo gjë përbëka krim, pasi dy vendet janë armiq të egër.
Lajmin e ka bërë publik me krenari ministri iranian i sporteve Mohamad Reza Davarzani, i cili deklaroi: “Ehsan Haxhi Safi dhe Masud Shoxhaei nuk do të jenë më pjesë e kombëtares së Iranit, sepse kanë kaluar një vijë të kuqe. Prej 38 vitesh asnjë sportist iranian nuk ka pranuar të ndeshet me sportistë të regjimit sionist. Futbollistët kanë bërë një kompromis me klubin e vet, por ku e lanë kompromisin me kombin e madh të Iranit?”.
Në fakt, dy futbollistët refuzuan të shkonin në Izrael dhe luajtën vetëm në kthim në Greqi, duke marrë lëvdata nga Izraeli për thyerjen e një tabuje, por kaq u desh që ta pësonin. Imagjinoni të shkonin në Tel-Aviv!
Qeveria e Teheranit nuk pranon asnjë përballje sportive me Izraelin, pasi ajo do të ishte njohje e Shtetit të Izraelit dhe braktisje e kauzës palestineze. Irani ka urdhëruar këtë javë sportistët e vet që të përcaktojnë qartë në kontratat e tyre në çdo vend që nuk mund të ndeshen me rivalë izraelitë.