Marash Kumbulla po rikthehet ngadalë në formën e tij më të mirë. Dëmtimi i gjatë u hodh pas krahëve me sukses. Mbrojtësi shqiptar ka fituar fanellën e titullarit te Sasuolo, ku në ndeshjen e fundit shkëlqeu kundër Interit. Fjalët e mira për të nuk mungojnë as nga trajneri. Balardini ka thënë në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes kundër Xhenoas, se cilësitë e Kumbullës janë lehtësisht të dallueshme. Ai ka veçuar edhe ndërhyrjen e bërë nga lojtari i Kombëtares kuqezi ndaj Arnautoviçit në përballjen e fundit, si një ndërhyrje tipike të një mbrojtësi të vërtetë.
“Te Verona ai ka luajtur në mbrojtje me 3. Te Roma u dëmtua, por ka ato cilësi të rëndësishme fizike dhe e ka treguar se, nëse është mirë, është një lojtar i fortë. Është e rëndësishme që të jetë mirë dhe të stërvitet, më pas cilësitë e tij janë mjaftueshëm të dukshme. Ka bërë vetëm atë që di të bëjë. Madje, sipas meje, mund të bëjë edhe më mirë. Ka bërë një ndërhyrje të rëndësishme ndaj Arnautoviçit, një ndërhyrje të një mbrojtësi të vërtetë. Është e rëndësishme të mbash përqendrimin dhe vëmendjen shumë të lartë. Më mua, cilësia e parë për një mbrojtës është vëmendja”, ka deklaruar Davide Balardini./Halit Delibashi-Sport Ekspres/