Sokol Cikalleshi e ka nisur vitin me dy gola në kupë ndaj Beshiktashit kampion në fuqi, duke i dhënë fitoren Osmanlisporit, edhe pse nuk mjaftoi për të kaluar në turin e ardhshëm.
Gjithsesi, për sulmuesin e kombëtares sonë ishin dy gola të veçantë, sepse viti ka nisur mbarë dhe duket se më në fund janë harruar problemet fizike të pjesës së parë të sezonit.
“Shënova dy gola që në ndeshjen e parë, nuk ka më mirë se kaq. Uroj të jetë një fillim i mbarë për mua dhe me shënimin e golave të ndihmoj ekipin të arrijë rezultate. Për shkak të dëmtimit dy mujor në pjesën e parë të sezonit u bë një kohë e gjatë që nuk kisha shënuar. Me këto dy gola e ndihmova ekipin të merrte një rezultat shumë të mirë përballë një ekipi shumë të madh si Beshiktashi”, shprehet sulmuesi, i kontaktuar nga Supersporti.
Për Cikalleshin tashmë e ardhmja është pozitive dhe shpresa e tij është që Osmanlispori të ngjitet sa më shpejt në mesin e qetë: “Ky është një ekip që lufton gjithmonë për kupat e Europës. Por, në këtë sezon starti i sezonit ishte jo i mirë dhe ndryshoi trajneri. Tashmë gjërat kanë ndryshuar për mirë, po ngjitemi hap pas hapi në renditje dhe shpresojmë që të jemi sa më lart në klasifikim”.
Kombëtarja është një temë që sulmuesi nuk mund ta anashkalojë: “Kombëtarja në vitet e fundit ka ecur me hapa galopantë. Urojmë të vazhdojmë kështu dhe të bëjmë më të mirën. Duhet ti bëjmë hapat një nga një, duke nisur nga miqësorja me Norvegjinë. Hap pas hapi do të shohim ku do të arrijmë, ne jemi të gatshëm për të bërë më të mirën për Shqipërinë. Nations League? Çdo gjë e re është emocionuese. Uroj të përfaqësohemi sa më mirë në këtë kompeticion. Arritëm njëherë të shkonim në Francë. Potenciali dihet se cili është, shpresojmë të kemi një grup të favorshëm. Nuk duhet t’i neglizhojmë kundërshtarët, të kemi fatin me vete dhe urojmë të shkojmë në Euro 2020”.