Sokol Cikalleshi i humbi të gjitha ndeshjet e Kombëtares në Ligën e Kombeve. Megjithatë, sulmuesi mbetet një prej figurave kryesore të skuadrës kuqezi dhe në programin “Zona Gol” në “SuperSport”, analizoi shortin e Shqipërisë në kualifikueset e Euro 2020, duke bërë një paralelizëm mjaft të veçantë.
“Për ne çdo short do të ishte i vështirë. Mendoj se duke veçuar Francën, grupi mund të jetë disi i ekuilibruar, me skuadra që mund të rivalizojnë dhe ndaj të cilave mund të arrihen rezultate pozitive. Në letër mendoj që, Turqia dhe Islanda janë dy ekipet të cilat duhen konkurruar, por pa harruar edhe Moldavinë. Me ekipet e vogla kemi patur disi probleme, por është një grup i vështirë”.
“Nisur edhe nga edicioni i kaluar, ku kishim si ribvalë Danimarkën, Serbinë dhe Portugalinë, janë grupe që ngjasojnë disi. Kjo bën që të kemi shanse, por duhet ta nisim sa më mbarë me Turqinë dhe Andorrën. Të përsërisim ndeshjen në Portugali dhe kështu mund të shpresojmë shumë. Sfidën tani e kemi me skuadrat që do të luftojmë për vendin e dytë, edhe pse Turqia nuk është më skuadra që e njohim të gjithë”.
“Shqipëria do të ketë një fytyrë krejt tjetër në kualifikuese. Sigurisht që për mua është një plus fakti që luaj në kampionatin turk dhe i njoh të gjithë lojtarët, të cilët luajnë në Kombëtaren turke. Personalisht Kombëtarja më ka munguar shumë dhe po pres me padurim të kthehem. Po punoj fort dhe të arrij sërish në nivelet maksimale, por Shqipërinë e kam në zemër edhe pse nuk isha pjesë e ekipit. Aktualisht ndihem mirë, kam luajtur dhe shpresoj që të arrij të shënoj”.
“Nisja jo e mirë në ndeshjen e parë në shtëpi, mund të ndikonte negativisht në edicionin tonë. Por, duke qenë se konkurrojmë me Turqinë, nuk kemi arsye përse ti kemi frikë. Për më tepër, suksesi në miqësore më bën të besoj se mund ta fitojmë ndeshjen e parë në shtëpi. Keqkuptimet me Panuçin? Mes meje dhe trajnerit nuk ka asgjë, gjithçka është në rregull. Trajneri është në krye të stolit dhe duhet të zgjedhë lojtarët. Kjo është kopetenca e tij. Personalisht dëshiroj të jem pjesë e ekipit kurdo, por unë jam profesionist, e pranoj çdo vendim që merret”.