Laçi i Mezanit po vazhdon që të korr rezultate pozitive, por pa shkëlqim. Këtë herë kurbinasit kanë mundur Erzenin me shifrat 1-0. Por ajo që mund të themi është fakti se miqtë e kanë dominuar kundërshtarin përgjatë 90 minutave.
Tre raste të pastra dhe flagrante janë shpërdoruar nga Erzeni në pjesën e parë. Kur pritej mbyllja e 45 minuta, në sekondat e fundit, Sadiki tregohet i pakujdesshëm dhe shkakton penallti. Ky do të ishte momenti vendimtar i takimit pasi Ujka dërgoi topin në rrjetë.
Me nisjen e pjesës së dytë ishte e njëjta histori, me Erzenin që kërkoi të barazonte rezultatin, megjithëse nuk kishte rastet e pastra të pjesës së parë. Mazrekaj u kthye dhe tregoi menjëherë klasin e tij duke sjellë një gol të dytë në kundërsulm për Laçin, por festa e Shkurtaj do të anulohej në të 75 pasi Adeleke e kishte prekur topin me dorë. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:
Kapllani: “Kjo ka qenë një nga ndeshjet më të mira që ne kemi bërë, sidomos në transfertë. Ka shkuar keq vetëm një 20 sekondësh, një mungesë përqendrimi në penalltinë e shkaktuar. Mendoj se e kemi dominuar Laçin nga fillimi në fund. Ne do të vazhdojmë përpara, do të punojmë shumë dhe të arrijmë ato objektiva që kemi. Duam ta përmirësojmë lojën më tepër dhe duhet vetëm që të shfrytëzojmë rastet tona”.
Mezani: “Nuk kanë qenë të lehta këto tre pikë. Komplimente Erzenit, kanë luajtur shumë mirë, kishte rastet e saj dhe na vendosi shumë në vështirësi. Kemi pasur disa probleme me lojtarët gjatë kohës së pushimit, nuk kanë qenë në formën më të mirë, prandaj dhe jemi tërhequr. Nga dita në ditë pres rritjen e lojtarëve dhe nivelit të lojës. Këto fitore na bëjnë mirë, na rrisin vetëbesimin. Erzeni na vendosi në vështirësi në fushën tonë. Ky kampion është i çuditshëm, çdo skuadër mund të mundi në fushën tënde. Merkato? Nuk është sekret, Guindo është afrimi i parë”.