Shqipëria e ka mbyllur rrugëtimin e saj në Europianin e Gjermanisë. Pengu më i madh i shqiptarëve është padyshim ajo ndeshje kundër Kroacisë për faktin që dolëm vetëm me një pikë ku në fakt me pak më shumë përqendrim dhe me disa vendime ndryshe nga Silvinjo, me më shumë guxim, mund të kishim fituar. Një prapaskenë vërtet e bukur është zbuluar në ditën e djeshme nga Alban Xhihani në emisionin Kampionët që transmetohet në “Klan”.
“Nga burime shumë të afërta duhet të japim edhe meritën e Silvinjos që formacioni nuk i zbulohej dot. Madje në ndeshjen kundër Kroacisë, kroatët ishin të bindur që luante Armando Broja nga minuta e parë. Në bazë të informacioneve të tyre, luante Broja dhe ndeshjen e kishin përgatitur me Brojën në formacion. Për këtë arsye mbrojtja e tyre ishte shumë e fiksuar me sulmuesin tonë, por në atë rast ishte Manaj dhe jo Broja. Kur u mbyll pjesa e parë, me informacionet e mia të sigurta, Dalic ka shkuar në dhomën e zhveshjes dhe i ka thënë lojtarëve: “Cfarë po bëjmë, kë po mbrojmë aty?”. Pra si të thuash frika duhej të ikte pasi ishte Manaj në sulm dhe jo Broja. Pastaj kur filloi pjesa e dytë, Kroacia nisi të na sulmonte dhe po bënte të njëjtën situatë siç na e bëri Italia”.
E gjitha kjo tregon qartësisht gabimin e Silvinjos. Trajneri i Shqipërisë përgatiti gjithçka në perfeksion, por nuk e lexojë drejt situatën. Teknikut tonë i erdhi situata e artë në dorë, por për fatin e keq nuk e shfrytëzoi. Pikërisht në momentin kur Kroacia nisi të qetësohet në mbrojtje për mungesën e Brojës, aktivizimi i këtij sulmuesi do të kishte mbyllur ndeshjen ose të paktën, do të rikthente frikën e tyre për të qenë më të tërhequr dhe për të mos e sulmuar Shqipërinë me të gjitha forcat. /Sport Ekspres/