“Çfarë ndodh nëse Hysaj bën gol kundër Kroacisë, do e bëjmë hero?”! Munishi: Nuk veprohet kështu, dua t’i mbyll gojën kritikëve nesër

Ismet Munishi është i bindur se Shqipëria do të kthehet te fitorja nëse përdoren dy lojtarë nga minuta e parë, Arbër Hoxha dhe Mirlind Daku. Sipas trajnerit të njohur, vetëm në këtë mënyrë kuqezinjtë mund të arrijnë që të rrezikojnë dhe të mposhtin kroatët. (Intervista e plot e Ismet Munishit në Koha Shtesë gjendet më poshtë)

“Ka ardhur koha që Silvinjo të përdor artilerinë e rëndë. Po flas për Dakun dhe Hoxhën. Unë mendoj se Daku duhet të jetë titullar këtë ndeshje se ka treguar formë shumë të mirë, është në formë fantastike, ka bërë gola dhe asiste. Më pas trajneri ka luksin me sulmuesit e tjerë në stol që të zgjedh. Pastaj edhe Arbër Hoxha që tregoi veten ndaj Italisë, do të na ndihmojë shumë me aksionet që do të bëhen në sulm me driblimet, gjuajtjet dhe krosimet në zonë. Mund të rrezikojë më shumë se Seferi në sulm. Për mua nëse Silvinjo luan me këta dy lojtarë nga minuta e parë, Shqipëria fiton 2-0 ndaj Kroacisë, është koha të rrezikojmë tani.

Është tepruar shumë me Hysajn. Ka dhënë shumë për Kombëtaren ndër vite, futbolli është lojë gabimesh. Nuk e quaj gabim atë që ndodhi, se tani po komentojnë artistat, këngëtarët, njerëzit e thjeshtë. Tani po e shohin ndeshjen edhe gratë tona, gjyshet tona, edhe ata mendojnë se kush e di se çfarë bëri Hysaj në atë rast. Por ne si profesionist mendojmë ndryshe, unë mendoj se Italia bëri një ndeshje të mirë dhe prandaj humbëm ne, jo se ishim ne dobët. Po të isha unë trajner, do të bisedoja me Hysajn si e ndien veten për të luajtur titullar ndaj Kroacisë. Tani çfarë ndodh nëse Hysaj luan kundër Kroacisë dhe shënon, bëhet hero? Jo, ne nuk guxojmë të veprojmë kështu, duhet ta respektojmë kontributin, nuk mbyllet futbolli me një ndeshje. Unë dëshiroj që Hysaj të luaj nesër dhe t’i mbyll gojën kritikëve”, tha Munishi. /Sport Ekspres/