Çfarë mësuam nga e para e Superiores? Partizani vjen “i çuditshëm”, bingot e Teutës në afrime dhe Zhunior në xhepin e Selmanit

Teuta ka fituar ndaj Partizanit në shifrat 1-0 për ta nisur me këmbë të mbarë këtë kampionat të ri. VAR-i kishte kryefjalën e tij duke akorduar penallti në favor të kryeqytetasëve, por që do të humbej pasi Xhunior tentoi të imitonte Jorginho, duke dështuar në ekzekutim. Një fitore e Teutës që është dhuruar nga kundërshtari në saj të episodeve. Goli i Georgiev ishte vendimtar dhe erdhi nga një gafë e pafalshme e Alban Hoxhës. Por çudia më e madhe e Partizanit ishte nga lojtarët që gabuan në këtë ndeshje. Me pjesën dërrmuese të formacionit titullar që vinin si afrime të verës, fillimisht u mendua se dikush prej tyre do të çalonte dhe do të kërkonte kohë për ambientim. Por Partizanit ia ka humbur ndeshjen e parë “garda e vjetër”, pra lojtarë që nuk kanë ardhur në këtë verë.

Gafa e Alban Hoxhës vendosi ndeshjen, po aq sa imitimi i keq i Jorginho nga Zhunior në 11-metra. Në qendrën e mbrojtjes ishte Damcevski që kishte më tepër siguri dhe ka kryer më shumë ndërhyrje se Belica. Murataj dallohej në lojë më veçanërisht për duelet fizike dhe mënyrën sesi i jep avantazh vetes në kontrollin e topit duke përdorur trupin, por nga ana tjetër ka gabuar shumë në pasime. Musta meritonte notë pozitive për paraqitjen e parë pasi është i rrezikshëm edhe në dalje ofensive. Marku tregon sërish prezencën e tij në fushë dhe i shkakton panik kundërshtarëve me krosimet që hedh në zonë, por duhet të shtojë marshin. Ndërkohë Tedi Cara kërkon më tepër kohë për t’u rritur, ndërsa shfaq herë pas here aftësi të mira.

Në këtë ndeshje ka debutuar edhe Ergys Kaçe. Mesfushori që dikur prisnim shumë te Kombëtarja u aktivizua në minutën e 69 të takimit. Menjëherë nisi që të tregonte kualitetin e tij dhe nuk u vu re ndonjë marsh i ulët prej tij pasi erdhi në Superiore. Por nga ana tjetër kundërshtarët janë dy herë më shumë të motivuar për ta ndalur se një futbollist tjetër i Partizanit dhe kjo do t’i hap telashe Kaçes. Pak minuta edhe futbollistin Gueye që dukej interesant për t’u ndjekur në të ardhmen.

Ndërkohë Teuta ka bërë dy bingo të mëdha me afrimet e saj. Pikërisht në qendrën e mbrojtjes ku durrsakët e fituan titullin kampion në sezonin e shkuar, do të kenë të njëjtën lartësi edhe në këtë sezon. Të dy mbrojtësit qendror e kampionatit që lamë pas do të largoheshin dhe me Arapin që zgjodhi të varte këpucët në gozhdë, duke marrë post drejtuesi. Por mungesa e tij nuk do të ndihet shumë mesa duket. Adolf Selmani nuk ka shumë nevojë për prezantim dhe që në ndeshjen e parë ka bërë diferencën duke fituar çdo duel të mundshëm, për të futur në xhep Zhunior duke e bërë të duket “i vogël” dhe duke i kufizuar aftësitë dribluese që zotëron. Më pak i mirë nuk ishte as qendër mbrojtësi tjetër Ivanovic, që largoi pafundësisht topa të rrezikshëm dhe fitoi duele ndaj lojtarëve të Partizanit duke përballur furinë e kuqe.

Qirko tregon siguri në portë, ndërsa Aleksi “çmendet” dhe shpërthen që në ndeshjen e parë, si të ishte e fundit në kampionatin shqiptar. Duhet me patjetër që të rregullojë temperamentin e tij, kritika i erdhi edhe nga vetë trajneri. Kallaku ka nisur që të rimarrë formën e duhur, por ka ende për të përmirësuar që të rikthehet si dikur. Plaku nuk arrin për asnjë moment që të jetë i rrezikshëm për Partizanin, ndërsa edhe sulmuesi Gorgiev nuk bind shumë pas atij goli të shënuar, që më shumë ishte dhuratë nga Hoxha. Me bujë të madhe erdhi sulmuesi që dikur luajti me Lille, Kevin Koubemba, por të paktën në ato 30 minuta që e kemi parë në fushën e lojës, me siguri që edhe një futbollist i afruar nga Kategoria e Parë e jona do të linte më shumë gjurmë. /Sport Ekspres

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online