Çështja “Hasani”, Gjoka: I takon klubit të flasë

0

Nën zë flitet për një çështje që do të shkojë në FIFA, ndërsa trajneri Gjoka e konsideron humbje të madhe

Edhe pse që prej mbrëmjes të së martës, firmosja e shkodranit Edon Hasani për skuadrën iraniane, Sepahan dhe sidomos procedurat e kryera pa lejen e Vllaznisë, që e ka nën kontratë, ishte çështja e ditës, në klubin e futbollit Vllaznia nuk kanë asnjë koment. Gjatë të gjithë orëve të ditës së djeshme është pritur një dalje publike e zyrtarëve të klubit Vllaznia, për të sqaruar opinionin sportiv rreth kësaj çështje. Por të paktën deri në orët e vona të mbrëmjes së mërkurë, nuk pati asgjë në këtë drejtim. Megjithatë, nga burime dytësore, mësohet se drejtuesit e klubit të futbollit Vllaznia dhe po ashtu edhe strukturat e Bashkisë Shkodër, përfshirë edhe kryebashkiaken-presidente, Voltana Ademi, kanë mbetur shumë të zhgënjyer nga veprimi i futbollistit të tyre. Dhe për këtë ata kanë përgatitur një dokumentacion të zgjeruar zyrtar për t’ia dërguar organeve kompetente në UEFA dhe FIFA, që duke denoncuar rastin flagrant në fjalë, të kërkojnë edhe dëmshpërblimin sipas rregulloreve përkatëse.

Trajneri – E nëse pritet Xhevahir Sukaj, me firmosjen e Edon Hasanit në Iran, kuqebluve u largohet një tjetër titullar. Vetë Ernest Gjoka nuk dëshiron të flasë për futbollistin. “Sigurisht që mbrëmë (parmbrëmë) në darkë kur e keni marrë vesh të gjithë ju, e kam marrë vesh edhe unë. Mendoj se është një zgjedhje personale, por nuk mund të flas më shumë, sepse unë jam trajneri dhe nuk jam klubi. Klubi është ai që flet për këtë çështje. Pastaj, varet se çfarë kontrate ka pasur ai me klubin. Mund të ketë pasur hapësirë, që në janar mund të jetë i lirë, ndoshta mund të ketë bërë diçka… Nuk e di, nuk e di, se si ta sqaroj një gjë të tillë. Në aspektin sportiv do t’ia ndiej mungesën një lojtari si Hasani, sepse atij, ia njohim aftësitë, ia njohim agresivitetin, temperamentin. Dhe ne tek Vllaznia na duhen lojtarë të tillë. Gjithsesi, unë i uroj suksese!”, u shpreh Gjoka për Hasanin.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.