Brazili është mes atyre pak skuadrave të mëdha që vazhdojnë rrugën në Botërorin 2018. “Seleçao” është ende aty, e tashmë pa Gjermaninë, Spanjën apo Argjentinën ata cilësohen si favoritët për të fituar titullin botëror.
Këtë e konfirmon edhe renditja e skuadrave çerekfinaliste, ku ka pak gjurmë nga skuadrat që shkëlqyen në grupe. Të besuarit e trajnerit Tite janë në krye, të ndjekur nga Franca dhe Anglia, ndërsa Kroacia dhe Belgjika kanë bërë hapa mbrapa.
1 – Brazili
Pas shumë surprizave dhe ekipeve të mëdha që u kthyen në shtëpi, Brazili kompletoi ngritjen dhe tashmë e sheh veten në krye. Një skuadër solide, në të cilën individët e talentuar janë integruar në mënyrë perfekte. Kualiteti nuk mungon, nga Nejmar, te Kutinjo e Uillian. Janë ata pretendentët për triumfin final.
2 – Franca
Blutë dolën hapur pikërisht atëherë kur duhej. Vrapimi i pandalshëm i Mbape kundër Argjentinës bëri tifozët të dashuroheshin me djaloshin e talentuar. Dyshimi i vetëm është nëse pas golave të pësuar me Argjentinën, Franca nuk është ende gati për të pushtuar botën. Uruguaji do të japë përgjigjet, edhe pse programi është i vështirë dhe në gjysmëfinale i pret Brazili.
3 – Anglia
Nuk ka dyshim që e meritojnë podiumin, pasi thyen tabunë e 11-metërshave. Skuadra e Sauthgejt ka idetë dhe mjetet për të triumfuar. Përveç kalendarit në favor, “Tre Luanët” mund të mbështeten te autori i gjashtë golave, Harri Kejn edhe për sfidën me Suedinë.
4 – Kroacia
Në fazën e grupeve fituan admirues nga e gjithë bota, ndërsa në kualifikimin përballë Danimarkës ishin një skuadër e shpërfytyruar. Rënia në klasifikimin special lidhet pikërisht me atë ndeshje, por me emra si Modriç e Rakitiç, Kroacia i ka të gjitha shanset ta kalojë Rusinë.
5 – Uruguaji
Dëmtimi i Edinson Kavanit bën që “çelestët” të humbasin disa vende. Mbeten një ekip i fort në mbrojtje, me një mesfushë të rinovuar dhe Luis Suarez në sulm. Nuk janë pak, por a do të mjaftojnë kundër Francës?
6 – Belgjika
Një përmbysje epike ajo ndaj Japonisë, por rënia e shfaqur për më tepër se një orë lojë dhe problemet difensive janë shqetësuese. Martinez mund të mendojë të ndryshojë diçka, por mbetet fakti që pjesa më e mirë e Belgjikës është absolutisht te gjashtë lojtarët në fazën ofensive.
7 – Suedia
Surprizë apo jo, tashmë e gjithë bota e pranon kualitetin e Suedisë. Një skuadër tek e cila pak njerëz besonin, por që në kualifikuese eliminoi Holandën, në “play-off” mposhti Italinë dhe në grupet e Kupës së Botës largoi Gjermaninë. Një ecuri për titull bote, por dueli me Anglinë është prova e vërtetë.
8 – Rusia
Katër vjet më parë surprizën e madhe e bëri Kosta Rika, tashmë ishte radha e Rusisë organizatore. Më tepër sesa kualiteti në ecurinë e ekipit ka ndikuar entuziazmi popullor. Por, a do të mjaftojë kjo në çerekfinale ndaj talentëve kroatë?