Endri Çekici do të jetë pjesë e Olimpija Lubjana. Kampionët e Sllovenisë e blenë pogradecarin nga Dinamo e Zagrebit dhe këtë lëvizje ai e konsideron si mjaft të mirë për karrierën e tij. Dëshira është e madhe që tanimë të marrë minuta dhe beson shumë se do ia dalë.
“Ata janë kampionët dhe kanë mentalitet fituesi. Mënyra im e futbollit më ndihmon të luaj titullar atje, sigurisht jo tani direkt. Synimi është titulli, sikurse vjet. Edhe pse Maribori është 9 pikë larg, kemi dy ndeshje direkte që mund të përcaktojnë shumë”, shprehet Çekiçi për “Supersport”.
Më tej ai shton: “Kisha nevoja të lëvizja, më duheshin minuta. Është hap i duhur edhe për kombëtaren. Nëse tregoj veten time te Olimpija Lubjana, mund t’ia dal. Gjithçka varet nga unë”. Në të shkuarën Çekiçi ka luajtur edhe me Lokomotivën e Zagrebit.
Hapat e parë në futbolli i ka hedhur te Pogradeci, ku është formuar si futbollist dhe më pas kaloi te Teuta në verën e vitit 2013. Mesfushori i avancuar luajti në Europë kundër Dacia Çisinau dhe u shit menjëherë te Dinamo e Zagrebit nga durrsakët. Sikurse dihet, 22-vjeçari ka luajtur për të gjithë grupmoshat e kombëtares.