Ceferin ishte kundër titullit në tavolinë, FSHF njofton mbledhjen e re të UEFA-s për fatet e kampionateve

Pandemia botërore Covid-19 ka turbulluar gjithë jetën e përditshme të shoqërisë njerëzore, ndërsa ka future në një udhëkryq edhe futbollin europian. Aktivitetet sportive janë ndalur ashtu si çdo fushë tjetër e jetës sociale dhe federatat po shqyrtojnë hipotezat e hedhura në tavolinë për mënyrën se si të shpëtojnë sezonin, i cili në të kundërt do të sillte një dëm të lartë financiar. UEFA zhvilloi një video-konferencë me të 55 anëtarët e saj më parë në muajin mars për të vendosur mbi rrugën që do të ndiqet për të mbyllur kampionatet e lëna përgjysmë, madje për të siguruat një gjë të tillë u shty me një vit edhe Euro 2020 për herë të parë në histori.

Ceferin ishte i qartë se nuk do të kishte një titull kampion të dhuruar në tryezë dhe se kërkonte që sezoni do të quhej i përfunduar kur ekipet të zbrisnin në fushë dhe të luanin të gjitha duelet. Por situata nga Koronavirusi nuk sheh shenja përmirësimi, përkundrazi tashmë nuk është vetëm Italia një vatër e virusit vdekjeprurës që ka pushtuar gjithë Europën. FSHF njofton se UEFA ka vendosur kështu që të organizojë një takim përmes video-konferencës, ku do të bëjë të ditur për 55 Federatat anëtare ecurinë e grupit të punës dhe do të diskutohet mbi datat e reja, kontratat apo edhe merkaton e transferimeve. Covid-19 nuk jep shenja smbrapjeje deri në këto momente dhe mbetet për t’u parë se si qeveria e futbollit europian do të vendosë për fatin e kampionateve në mbledhjen e planifikuar të zhvillohet në ditën e mërkurë./Sport Ekspres/