CAS fundos Etikën dhe FSHF-në, ja pse u gabua me titullin e Skënderbeut

Fitorja e Skënderbeut në CAS, në lidhje me vendimin e FSHF-së për t’i hequr titullin 2015/16, më shumë se një triumf i klubit korçar, është një dështim i Federatës Shqiptare të Futbollit. OK, në FSHF do mbrohen: vendosi Komisioni i Etikës, është i pavarur. Në fakt, edhe aq i pavarur nuk është, ashtu si gjithë komisionet e tjera në FSHF, që kanë treguar një nivel të lartë paaftësie ndër vite. Po ky Komision Etike ka bërë gafa të tmerrshme në të shkuarën, duke dënuar ndonjë portier kur ndeshjet e trukuara qelbeshin keq, duke dënuar Ilion Likën për një ndeshje ku nuk ishte fare në fushë, duke falur gjithmonë klubet, edhe pse të gjithë e dimë që asnjë futbollist nuk ka guxim të trukojë i vetëm një ndeshje, pa dijeninë e drejtuesve të klubit.

Edhe këtë radhë Etika ia ka futur kot, e thënë hapur. Kur UEFA i dërgoi FSHF-së dosjen me argumentimin e CAS-it për konfirmimin e përjashtimit të Skënderbeut për një vit nga kupat e Europës, mesazhi ishte i qartë: “Ne e morëm një vendim administrativ për të përjashtuar Skënderbeun, CAS na dha të drejtë. U rekomandojmë që të hetoni edhe ju për ndeshjet e luajtura brenda territorit shqiptar dhe nëse gjeni prova, mund të vendosni për një dënim shtesë për Skënderbeun”.

FSHF e mori “pataten e nxehtë” dhe ia kaloi Komisionit të Etikës. Skënderbeu duhej dënuar, sepse rekomandimi i UEFA-s u interpretua si urdhër dhe FSHF duhej të bënte diçka për të treguar se është në një linjë me UEFA-n mëmë, por si i bëhej? Kundër Skënderbeut nuk ekzistonte asnjë provë konkrete, ose më saktë, nuk ishte kryer asnjë hetim në Shqipëri, përtej broçkullave që na shet Prokuroria dhe vetë FSHF-ja, sikur kemi bërë hetime gjithë këto vite dhe dalin të gjithë të kulluar, në një kohë që me dhjetëra ndeshje në Superiore në dekadën e fundit qelben kokë e këmbë, mjafton të kujtohen përballjet Skënderbeu-Dinamo, pa shkuar më pas te sfida absurde si një Shkumbini-Bylis e para disa viteve, Flamurtari-Bylis, Flamurtari-Teuta e kështu me radhë, mund të bëhet një film komik.

Që “mishi të piqet dhe helli të mos digjet”, duhej dënuar Skënderbeu, pasi edhe UEFA priste një sinjal nga FSHF-ja. U vendos të digjej titulli 2015/16, por pse ai? Këtu ka shumë teori konspirative, një prej tyre është se ai titull do t’i kalonte Partizanit, për ta zbutur në qëndrimet anti-FSHF. Thjesht aludime, pa prova, si deklaratat në dosjet e UEFA-s para disa vitesh se shumë ndeshje në Shqipëri trukoheshin “turpshëm dhe hapur, me bashkëpunimin e të gjithë aktorëve në fushë”.

Këtu Etika “ia futi vetes”, sepse e deklaroi fajtor Skënderbeun për komplotim në influencimin e rezultateve të ndeshjeve në kundërshtim me etikën sportive për sezonin 2015-2016, por pa gjetur asnjë provë dhe pa asnjë bazë logjike. Nëse UEFA kishte përpiluar një dosje me mbi 50 ndeshje, edhe nga kampionati shqiptar, me të cilën akuzonte Skënderbeun, pse Etika shqiptare veçoi vetëm një sezon dhe çuditërisht gjeti prova (!) për vetëm pak ndeshje në atë sezon? Pa shkuar pastaj te heqja e 12 pikëve për sezonin 2016-2017, një tjetër absurditet, në një kohë që sezoni ishte mbyllur dhe ato 12 pikë të hequra nuk kishin asnjë vlerë për renditjen finale të Superiores. Është njësoj si të dënosh Lushnjën sot me heqjen e disa pikëve në renditje, a ka ndonjë vlerë?

Këtu CAS përdori logjikën dhe i dha të drejtë Skënderbeut, pasi vendimi i Etikës për heqjen e titullit ishte qesharak, e thënë shkurt. Nëse do të hiqeshin titujt për çdo ndeshje në dosje, të paktën Etika do të justifikohej që “e dënoi UEFA, e dënojmë edhe ne”, por veçimi i një sezoni të caktuar, pa asnjë bzë ligjore dhe pa dhënë asnjë argument pse një ndeshje e atij sezoni konsiderohej e trukuar dhe një ndeshje e viteve të mëprshme ishte e pastër, ishte një autogol në portën e Etikës dhe FSHF-së, që edhe një herë treguan se nuk dinë apo nuk duan t’i bëjnë gjërat si duhet.

One thought on “CAS fundos Etikën dhe FSHF-në, ja pse u gabua me titullin e Skënderbeut

  1. EDHE NJEHERE SKENDERBEU DEL I PASTER SI DRITA E DIELLIT–RIKTHIMI I TITULLIT-KAMPION- KLUBIT TE SKENDERBEUT -NJE RIKTHIM NE DREJTESI.–DHE DREJTESIA DO TE VAZHDOJE EDHE ME TEJ-PER KETE EKIP -HEROIK NE FUSHEN E BLERTE-..URIME SKENDERBE-..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *