Lajme të mira për trajnerin Sulejman Starova dhe të gjithë tifozët e Partizanit. Sulmuesi Edgar Çani ka rinisur stërvitjen me ritëm të plotë. Lojtari është përgatitur plotësisht me grupin dhe ka marrë ngarkesën e plotë.
Çani nuk ka ndjerë dhimbje gjatë seancave të zhvilluara dhe nuk është parë të përdorë qesen me akull. Një trajtim që nuk i është ndarë në momentet e para që rinisi stërvitjen pas kthimit nga faza përgatitore në Itali.
Gjendja e sulmuesit është në përmirësim e sipër. Shtatlarti ka dhënë sinjale pozitive në dy seancat e fundit stërvitore dhe duket se trajneri Starova mund ta afrojë me grupin shumë shpejt. 28-vjeçari duhet të kthehet sa më shpejt, pasi fjala e Moxhit mbetet ende në fuqi. Drejtori i Partizanit deklaroi publikisht se nëse sulmuesi nuk kthehet për shpejt mund të ketë edhe prishje kontrate. Kjo e ka vënë më shumë në lëvizje sulmuesin e kuq që do të mundohet t’i tregojë të gjithëve të kundërtën e asaj që flitet.