Edgar Çani u kthye. Mjaftuan 33 minuta, nuk ishte nevoja që të sforcohej që në fillim, pasi debutimi i plotë duhet bërë në ndeshje më serioze se ajo e djeshmja. Sulmuesi i fuqishëm, pjesë e kombëtares deri para pak kohësh, tregoi sa vlen, duke shënuar e krijuar, duke fituar edhe një 11-metërsh.
Derisa u fut Çani, Partizani fitonte 2-1 dhe i duhej një shtysë e fortë për të mbyllur ndeshjen, shtysë që ia dha sulmuesi i shpresës së madhe për titull. Shpresë që varet nga forma fizike e Çanit: nëse ai do të jetë “top”, Partizani do të jetë i frikshëm. Megjithatë, ndeshja e djeshme konfirmoi diçka interesante: sulmuesi Mustafa Xhixhiua meriton vëmendje dhe hapësirë. Është vetëm 21 vjeç, nuk ka CV “mbretërore”, por ka energji dhe vullnet të jashtëzakonshëm. Në Kuçovë shkëlqeu, duke qenë ndër më të mirët në fushë, por te Partizani e ka treguar vlerën edhe më parë. Nuk ka eksperiencën dhe klasin e Çanit apo Sukajt, por është një sulmues i talentuar, që meriton besim. Fundja, rruga drejt suksesit financiar kalon edhe nga eksperimentet me të rinjtë, përndryshe do të kemi çdo vit lojtarë si Bardhi, Fili e të tjerë që mbeten “supertalente”, por nuk i aktivizon asnjë trajner dhe nuk i do asnjë klub i huaj, thjesht sepse nuk i njeh.