Ndeshja e radhës mes Turqisë dhe Shqipërisë do të përcaktojë shumë për fatet e grupit tonë, sa i përket kualifikimit në Europian. Të paktën për kuqezinjtë do të jetë një finale me gjithë kuptimin e fjalës, pasi rrezikohet të mos ketë një shans të dytë.
Në rastin e një humbje, atëherë zerohen të gjitha shpresat e një kualifikimi. Por nëse dalim me pikë, më saktësisht me fitore, atëherë rruga do të shtrohej dhe ëndrra bëhet më e afërt. E ku ka më bukur se një gjë e tillë të arrihet në Turqi?
Megjithatë është Çalhangolu që paralajmëron se Kombëtarja e tij do të bëj gjithçka për t’i mbyllur llogaritë sa më shpejt të jetë e mundur, pa bërë dramë siç e kanë zakon.
“Për ne ishte shumë mirë që fitoi Shqipëria ndaj Islandës, ishte e dobishme. Do të kujdesemi ende për këtë situatë. Duam të marrim pjesë në Europian. E lëmë gjithmonë për minutë të fundit, e kemi në shpirtin tonë këtë. Por këtë herë duam që të ikim të qetë në Europian, duke i mundur konkurrentët tanë”, ka thënë lojtari i Milanit, duke paralajmëruar hapur Shqipërinë dhe Islandën. /Sport Ekspres/