Një gol në minutën e fundit shtesë është dëshpërues, por nuk mund të justifikojë veprime absurde si hedhja e sendeve në fushë. Nëse pastaj një çakmak fluturon nga një deputet, shumë pyetje ngrihen.
Pse ky deputet bën gangsterin në stadium? Pse nuk merret asnjë masë? Pse për tifozët e thjeshtë konfiskohen edhe uji e monedhat, ndërsa në tribunën VIP futin çakmakë e mundësisht edhe ndonjë tullë?
Arbitri i ndeshjes Andi Koçi ishte shënjestër e çakmakut të Braçes dje dhe sot në Top-Channel ka ardhur reagimi i arbitrit, që në fakt nuk bën polemika, por nuk e fsheh zhgënjimin, si për të thënë që “nëse e bën deputeti, ç’tu themi tifozëve të tjerë”.
“Kur po i drejtoheshim dhomave të zhveshjes në pjesën e tunelit, isha i rrethuar nga rojet e sigurisë në atë moment, shikoj një objekt që mu tha që ishte një çakmak që hidhet nga tribuna. Në momentin që futem në pjesën e tunelit më komunikohet nga asistentët, e më identifikohet me emrin e zotërisë në fjalë. Më vjen keq që problemet vijnë nga tribuna”, ka treguar Andi Koçi, arbitri i ndeshjes Partizani-Skënderbeu.
Për Koçin, arbitrimi nuk jepte arsye për nervozizëm: “Rastet i kam parë pas ndeshjes. E bëj gjithmonë. Mendoj se i kam zgjidhur në mënyrën e duhur. Nuk kanë pse të ankohet asnjë prej dy ekipeve. Natyrisht që goli në minutën e fundit dhemb. Edhe mua po të më iki një penallti e padhënë në të 94-tën normale që dhemb”.