Pak ditë më parë mesfushori Vesel Limaj paditi Bylisin dhe kërkoi zgjidhjen e kontratës, për shkak se ai nuk kishte dijeni parë atë që kishte firmosur. Mirëpo, klubi ballshiot, ka depozituar provat dhe faktet e mjaftueshme në FSHF, madje edhe kopjet e kontratave sipas standardit të UEFA-s dhe FIFA-s si dhe mandatpagesat që lojtari ka marrë, duke rrëzuar në këtë mënyrë padinë e Vesel Limajt e cila edhe dje nga Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve pranë FSHF-së nuk është marrë parasysh.
Klubit të Bylisit i është dhënë e drejta, ndërkohë që lojtari, si paditës në rastin konkret duhet që të paguajë edhe shpenzimet e gjyqit. Kështu, dje padia e Limajt, është konsideruar si e pabazuar në ligj, ndaj edhe përballë provave dhe dosjes së plotë që ka paraqitur klubi ballshiot, lojtari është “mposhtur” edhe në DHZK!
Tashmë mbetet që Limaj të rikthehet në Ballsh dhe të respektojë kontratën, ku natyrisht nuk është çudi që edhe klubi nga ana e vete të kërkojë sanksione, duke qenë se lojtari ka vepruar me kokën e vet, e madje duke dalë edhe në stërvitje me një skuadër tjetër. Pak ditë më parë, klubi i Bylisit paditi edhe skuadrën kuksiane në FIFA, duke qenë se kishte “joshur” Limajn, madje në bazë edhe të provave rezulton që lojtari është stërvitur me Kukësin!