Momenti ka rëndësi! Bylisi e Egnatia tani për tani janë dy “hirushe” në grupet e tyre. Nga ky këndvështrim prej pozitave të mira në renditje Bylisi dhe Egnatia, janë të etura deri tani për ëndrrën e madhe të rikthimit të tyre në elitë. Dhe në këtë linjë ndeshja e djeshme miqësore përshkohej nga një lojë e pëlqyeshme. Me rivalitet, por dhe shumë baraspeshë, duke e ndarë epërsinë secila skuadër nëpër dy pjesët. Në fraksionin e parë dominoi Bylisi që shënoi pak pasi kishte kaluar mesi i kësaj pjese me të zakonshmin që po spikat tashmë me stilin shumë interesant e produktiv të lojës së tij Niko Zisi. Në 45 minutat e dyta, Egnatia këmbënguli fort deri sa gjetën edhe rrogozhinasit nëpërmjet kapitenit të skuadrës Vangjel Mile, golin e barazimit, 12 minuta para limitit të krejt ndeshjes. Forma e lojtarëve, ka qenë një nga dëshirat që ky test miqësor për trajnerët të sillte në vëmendje atë kërkesë, tashmë sistematike të mbajtjes ndezur të pretendimeve. Janë luajtur vetëm 7 javë dhe si Bylisi ashtu dhe Egnatia e kanë të qartë se rruga e një kampionati të vështirë ka të papriturat e veta. Por mbështetur dhe te niveli konkret i investimeve që janë bërë nga të dyja skuadrat si në nivelin e presidentëve që udhëheqin punën në këtyre dy klubeve ashtu dhe të Bashkive, që ndihmojnë po aq fuqishëm, mbajtja ndezur e ambicieve deri në metrin e fundit të finishit të kampionatit mbetet një përparësi. Nuk nguruan dje trajnerët Nica e Gjonaj që të aktivizonin edhe disa lojtarë të rinj me perspektivë, në një test që vleu për përballjet e fundjavës së ardhshme në Kategorinë e Parë. Fatmir Efica
BYLISI – EGNATIA 1-1
Shënues: Zisi 32′ / Mile 78′
Bylisi: Dramolli (Zotaj 85′), Shosha, Kullira (Ntepe 77′), Buzi (Mehmetaj 66′), Sandej, Gregati, Çukuka (Sutaj 77′) (Sinaj 83′), Kolgega (K.Fejzaj 55′), Murataj, Zisi (P.Fejzaj 68′). Trajner: Stavri Nica
Egnatia: Birja, Rexhepi (Gjyla 65′), Nako (Doçi 69′), Vogli, Bakiasi (Gjuzi 72′), Selimaj (Vargu 54′), Baze (Hasa 65′), Henri (Karaj 46′), Brajt (Anthoni 53′), Dosti (Gjoka 46′), Agbodike Osinaki (Mile 46′). Trajner: Vladimir Gjonaj
Gjyqtarë: O.Ferataj , A.Topi , E. Fejzulla (Patos)
Kartonë të verdhë: Sandej 34′ Gregati 70′ / Karaj 72′