Kapiteni i Flamurtarit thekson se nuk i ka ndodhur askund që të shohë një sjellje kaq tendencioze nga arbitra. “Kemi frikë të afrohemi te kundërshtari”
Elton Nika
Tomislav Bushiç rikthehet në stërvitje dhe pritet të jetë gati për Partizanin. Kroati ishte një mungesë mjaft e rëndësishme për vlonjatët në ndeshjen me Kamzën, një mungesë që u cilësua e tillë edhe nga vetë trajneri Shpëtim Duro. Tashmë Bushiç do të jetë gati për të hënën dhe pritet ta nisë titullar përkrah Danilo alvesh. Në intervistën e dhënë, sulmuesi flet për objektivat dhe nuk mund të lërë jashtë gjykimin, që sipas kapitenit të kuqezinjve e ka kapur keq vetëm me ta dhe një situatë të tillë thekson se nuk e ka ndeshur askund.
Tomislav, tanimë jeni rikthyer në stërvitje. Si ndiheni?
Po, jam më mirë fatmirësisht. Nisa që të premten stërvitjen, por lehtë dhe jo shumë intensive. Tani shpresoj të jem gati për ndeshjen me Partizanin, pasi është një ndeshje mjaft e rëndësishme për skuadrën dhe vazhdimësinë në kampionat.
Ekipi ngeci edhe javën e kaluar. Vetëm barazim me Kamzën, çfarë mund të na thoni?
Më vjen keq që nuk isha në fushë për të ndihmuar skuadrën. E kam vuajtur, por gjendja shëndetësore nuk ishte e mirë, ndaj nuk mund të isha dot as në stadium. Më erdhi shumë keq për barazimin, pasi meritonim fitoren. Kështu ndodhi, ndaj tani duhet të shohim përpara. Kishim një mundësi shumë të mirë të ktheheshim tek fitorja, por na mungoi dhe një penallti në favor në fund të ndeshjes. Mund të sillte tre pikët.
Gjyqtarët në fakt kanë ndikuar në rezultatet e skuadrës…
E ndjejmë këtë në çdo ndeshje. Po bëhen shumë gjëra ndaj nesh dhe këtë nuk arrij ta kuptoj dot, pasi ndodh vetëm me Flamurtarin. Është hera e parë që shoh diçka të tillë ndaj një skuadre. Me Laçin dy gola erdhën si pasojë e një pozicioni jashtë loje dhe një penalltie që nuk e di se ku e gjeti. Por edhe me Kamzën po kështu. Por nuk janë vetëm këto raste, pasi ka shumë dhe pothuajse në çdo ndeshje. Kemi frikë të afrohemi te kundërshtari, pasi nëse nuk ka penallti atëherë marrim karton. Kjo është e çuditshme fare.
Ndeshja e radhës me Partizanin në Tiranë. Si e shikoni këtë përballje?
Shumë e vështirë, një ndeshje ndaj një skuadre që po bën mirë gjatë këtyre javëve, ndërsa ne kemi sërish shumë mungesa. Nuk është justifikim aspak, por duhet të pranojmë këtë realitet që kemi dhe të besojmë se në Tiranë nuk do të dalim pa rezultat pozitiv. Kushdo që zbret në fushë jep maksimumin, ndaj unë besoj se kështu do të ndodhë me Partizanin. Do të kërkojmë që të lëmë pas periudhën e keqe. Tashmë lufta për Europën bëhet më e fortë .
Por Europa vjen edhe nga kupa…
E vërtetë, por mos t’i lëmë asgjë rastësisë. Të arrijmë Europën edhe në kampionat,pastaj kupa është diçka tjetër. Në kupë shpresojmë t’i shkojmë deri në fund, por tani duhet të shohim kampionatin dhe ndeshjen me Partizanin.
A ju mungon goli?
Çdo sulmues me golin jeton dhe besoj se do të vijë shpejt sërish. Natyrisht që të mungon, por i rëndësishëm nuk mbetet goli i Bushiç, por skuadra. Ndoshta vjen që me Partizanin. I shënova në minutën e fundit, pse jo sërish edhe këtë radhë.