Dy futbollistët e Teutës, Tomislav Bushiç dhe Sherif Kallaku kanë folur për “RTSH Sport” para sfidës kundër Partizanit. Të dy lojtarët u shprehën optimistë për sfidën kundër “Demave”. Bushiç tha se do të jetë një luftë në fushën e lojës, ndërsa Kallaku siguroi se çdo lojtar i Teutës do të japë maksimumin.
Bushiç – “Me Skënderbeun krijuam shumë raste, por nuk shënuam dhe në fund Skënderbeu barazoi. Shpresojmë të bëjmë sa më mirë në stërvitje dhe të marrim maksimumin kundër Partizanit. Është një ndeshje shumë e vështirë dhe në fushë me Partizanin është gjithmonë luftë.
Duhet të tregojmë muskujt dhe të futemi në lojë si burrat. Vetëm në këtë mënyrë mund të fitojmë. Unë mendoj objektivi i Teutës është Europa. Por një fitore me Partizanin na mban 7 pikë larg dhe ka shumë ndeshje, prandaj mund të shkojmë shumë më përpara”.
Kallaku – “Mendoj se çdo lojtar jep maksimumin, kjo është psikologjia e lojtarëve që luajnë te Teuta. Maksimumin do të japim edhe kundër Partitzanit, pasi është një kundërshtar që duhet vlerësuar, megjithatë jo mbivlerësuar. Do të shkojmë atje vetëm për tri pikë”.