Trajneri i U-21 prezanton sfidën me Sllovakinë: Pres shumë nga Manaj dhe ftoj publikun të na mbështesë
Trajneri i Kombëtares së 21-vjeçarëve të Shqipërisë i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në prag të ndeshjes me Sllovakisë. Bushi ka komentuar gjendjen e skuadrës, por dhe pritshmëritë që ka për këtë takim. Sigurisht që është prekur dhe kalimi i disa nga elementëve të tij në Kombëtaren e parë, por kjo duket se nuk e shqetëson aspak timonierin e Shpresave.
Bushi, ndesheni me Sllovakinë, si e prisni këtë takim?
U bë kaq kohë që përmenden mungesat, i kemi lënë pas. Edhe pse kemi shumë mungesa, do e shihni që në fushë do të jetë një skuadër akoma dhe më e mirë. Mendoj se grinda nuk do na mungojnë në asnjë mënyrë nesër, ashtu si dhe rastet. Kemi marrë disa lojtarë të rinj që do të jenë pjesë e skuadrës dhe për edicionin e ardhshëm, pacaka se mund të mos jenë të gatshëm për këtë ndeshje. E rëndësishme që janë aty për t’u ambientuar.
Ka më dilema për formacionin, apo e keni ideuar formacionin?
Selmani nuk është, pasi dihet që është i dëmtuar. Krymi është bashkuar me skuadrën vetëm dje dhe dihet që është lojtar i rëndësishëm për skuadrën tonë. Vetëm te mesi i fushës është ky problem, ndërsa pjesa tjetër është gati për të luajtur.
Si ka qenë ecuria e lojtarëve gjatë kësaj periudhe, duke qenë se ka lojtarë që nuk kanë shumë minuta në klubet e tyre?
Ka lojtarë që nuk kanë shumë minuta në dispozicion, por në momentin që grumbullohen paraqiten mirë, bëjnë pak gabime, pse mos ti marr sërish në Kombëtare.
Çfarë do të ndryshojë nesër, për të parë të njëjtën skuadër që kemi parë në ndeshjet e fundit, por të kemi dhe rezultat?
Ne do luajmë si gjithmonë, duhet të japim maksimumin. Çdo njeri mund të gabojë , çdo njeri mund të humbasë raste. E rëndësishme është që çdo lojtarë të japë maksimumin dhe atëherë të gjithë mbetemi të kënaqur. Ne jemi Shqipëria U-21, kanë kohë për t’u rritur, e rëndësishme është që të mësojnë. E rëndësishme është të luajnë lirshëm pa emocione, pasi në fund të fundit është futboll. Ne kemi parë skuadrën e Sllovakisë, edhe atë të Islandës. Spanja mund të jetë pak më lart, ndërsa skuadrat e tjera janë aty-aty, por me lojërat që kemi zhvilluar kemi treguar se jemi më lart se ata. Sllovakia mund të ketë disa lojtarë që kanë lojtarë që kanë më shumë minuta, është plus për ata, por jo minus për ne. Është një ndeshje e barabartë. Mund të fitojë secila skuadër. Kërkojmë me çdo kusht fitoren, pasi me barazim dalim jashtë loje për vendin e dytë. Me fitore do të vijojmë për objektivin e vendit të dytë.
Manaj…
E dimë të gjitha kualitetin e Manajt. Është lojtarë klasi. E shoh nga sulmuesit më me perspektivë. Shqipëria ka Manajn, Durmishajn apo dhe të tjerë që për mbi 10 vite mund të mos i duhen sulmues të tjerë. Manajn dua ta falënderoj për atë që ka dhënë këto ditë në stërvitje, ka qenë shumë profesionist. Jo siç kemi dëgjuar se është problematik, ka qenë i dashur me shokët, ka dhënë më të mirën në stërvitje. Pres shumë nga ai. Duhet të japë më të mirën e tij, atë që ai di të bëjë më mirë, nuk është problem se ai mund të humbasë një gol apo një rast.
Sa e njihni kundërshtarin, ka pësuar 12 gola në këto eliminatore?
Ata kanë luajtur dy herë me Spanjën, ndërsa ne nuk kemi luajtur asnjëherë me Spanjën. Spanja mund t’i mundë të gjitha skuadrat, por ne në Tiranë nuk na mund dot. 9 nga golat që ka pësuar i ka marrë nga Spanja. Nuk është një tregues që pësojnë shumë. Janë skuadër shumë e rrezikshme, duhet t’i kemi kujdes në kundërsulm. Ata janë të vegjël, vetëm 20 vjeç po aq sa dhe ne. Uroj që të bëhet një ndeshje e bukur. Nëse i toleron në mesin e fushës apo në mbrojtje ata të ndëshkojnë.
Ka arritur koha që Shqipëria e U-21 vjeçarëve të bëj hapin e madh?
Ne gati jemi, por duke parë ndeshjet ne kemi vetëm 6 pikë nga 5 takime, kur duhet të kishim 15 pikë. Kundërshtarët na kanë rrezikuar shumë pak. Nuk duhet të kishim 12 pikë, por 15 pikë të plota, me atë që kemi dhënë në fushën e lojës. Kam besim se mund ta arrijmë vendin e dytë. Është ndeshje shumë e rëndësishme kjo e nesërmja (sotmja). Në kualifikueset e ardhshme objektivat do të jenë të mëdha, por varet dhe nga shorti.
Kush mendoni se do të jenë “të rekrutuarit” e radhës nga 21-vjeçari nga ana e Panuçit?
Panuçi mund të thërrasë në çdo moment. Kemi Baren, Manaj, Ndoj etj që mund t’i thërrasë në çdo moment. Mund t’i marrësh nga sot e ti fusësh në formacion. Emrat që përmenda janë të sigurt që do luajnë në të ardhmen me Kombëtaren e parë. Nëse nuk luajnë sot do të luajnë pas 1 apo dy muajsh apo më vonë, e rëndësishëm që janë profesionist e japin maksimumin kudo që janë.
Sa ju shqetëson gjendja e stadiumit “Selman Stërmasi”?
Do të jetë një faktor shumë faktor në këtë përballje. Shqipëria di të luaj futboll dhe kërkon terren të mirë. Nuk është si dikur kur thoshin ishalla është terreni i keq se kundërshtari luan futboll të bukur. Fusha ishte tragjike dhe kaluar tragjike. Kjo ishte arsyeja që vendosëm që stërvitjen e fundit ta zhvillojmë në Kamëz. Do të jetë e vështirë për të dyja skuadrat. Në ndeshje të tilla duhet të karikohesh 200%.
Kombëtarja e parë po merr elementë nga 21-vjeçarët, keni menduar për pasuesit, mund të marrim rastin e Valon Ethemit që ka pasur kontakt nga Maqedonia?
Gjatë gjithë kohës jemi në ndjekje të lojtarëve. Pjesën më të madhe të ekipit e kemi të datëlindjes 98. Kemi lojtarë shumë të mirë, të cilët janë në procedura për të marrë pasaportën. Nj ndër to është dhe Ethemi që është përmendur dhe në media. Do të jetë pjesë e Shqipërisë U-21 në të ardhmen, shumë shpejt. Ka dhe disa lojtarë të tjerë nga Gjermani dhe Danimarka që i kemi parë dhe i kemi kontaktuar.
Ndeshja luhet në Tiranë, hyrja e lirë, keni një thirrje për tifozët?
Tifozët janë pjesa më e rëndësishme për ne. Edhe në Europian them se një 20%-30% i takon tifozëve. Si brenda dhe jashtë vendit na kanë mbështetur shumë. Janë shumë të rëndësishëm për ne. Ne kemi luajtur në “Qemal Stafa” dhe një shok që e kisha në ekip po ishte kundërshtar më tha se ishin shumë të zjarrtë tifozët, edhe pse nuk ishin në këtë nivel. Në ndeshjet e kaluara ka qenë dhe koha e keqe, shpresoj që të jenë nesër dhe t’u a shpërblejmë. E meritojnë me pjesëmarrjen e tyre.