Shqipëria U-21 do të luajë nga data 28 maj deri më 8 qershor 3 takime miqësore në Elbasan, fillimisht kundër Bosnje-Hercegovinës dhe më pas dy herë rresht kundër Bjellorusisë.
Është një rast i mirë për të provuar emra të rinj dhe trajneri Alban Bushi ka grumbulluar shumë debutues, duke grumbulluar edhe disa lojtarë 18-vjeçarë.
Lideri quhet Keidi Bare, pasi mesfushori i Atletikos së Madridit nuk luan prej kohesh për një pezullim në Spanjë dhe Bushi kërkon t’i japë minuta, përvecse t’i japë rolin e kapitenit të një ekipi shumë të ri në moshë.
Ndërkaq, ka surpriza, sepse është grumbulluar Valon Ethemi, me mesfushorin e Kukësit që kërkohej edhe nga Maqedonia.
Po ashtu, është afruar Lindon Selahi, talenti i Standard Liezhit, i cili është vetëm 18 vjeç dhe ka nisur të luajë në Jupiler Ligën belge, ndërsa duket se ka vendosur të luajë për Shqipërinë, një lajm i madh për ne.
Nga Belgjika vjen edhe 18-vjeçari Sebastjan Spahiu, mesfushor i talentuar i Muskronit, ndërsa nga të rinjtë e Bazelit vjen sulmuesi Atdhe Rashiti, i cili pritet me mjaft interes, ashtu si Rubin Hebaj, i cili te Shqipëria U-21 nuk ka pasur shumë hapësirë deri tani duke luajtur në formacion vetëm në ndeshjet kualifikuese kundër Irlandës së Veriut.
Ka edhe lojtarë nga Kategoria e Parë shqiptare, me portierin Dramolli nga Bylisi dhe mesfushorin Marlind Nuriu nga Dinamo, pa llogaritur Tiranën, që tashmë është pjesë e Superiores.