Juventusi ndalet pas 12 fitoresh radhazi në kampionat… Por, lajmi nuk është ky, por që skuadra e cila e ndali dhe e detyroi të dilte nga Ferrara me vetëm 1 pikë lufton për mbijetesën dhe ndodhet në vend të 17-të me 25 pikë të grumbulluara, 14 humbje dhe 50 gola të pësuar…
Pikërisht skuadra e Sempliçit, që ishte në dilemë, duket se ka rihapur kampionatin dhe diskutimin titull, që vetëm pak ditë më parë, me suksesin ndaj Atalantës të djemve të Alegrit, mendohej i mbyllur. Një barazim pa gola, 0-0, që frenon bardhezinjtë, duke e çuar në +5 pikë diferencën me ekipin e Sarrit, që tashmë ka shansin e artë të afrohet me kreun, në rast suksesi (diferenca do të shkonte në vetëm 2 pikë por edhe me ndeshjen direkte për të luajtur).
Ka qenë një ndeshje e shëmtuar për “Zonjën” ajo në Ferrara, ku porta mike është goditur vetëm tre herë dhe ku rasti më i mirë ka qenë për Manxhukiç, që ka shpërdoruar vetëm dy hapa larg porte, me specialitetin e tij, kokën. Më pas, vetëm manovra ofensive, por skuadra vendase është mbrojtur duke formuar një “bunker” përpara portës, që nuk është çarë edhe pas pesë minutash shtesë të dhëna nga arbitri.