Trajnerët e Bundesligës shohin Bajernin kampion në fuqi kandidatin numër një për të fituar titullin dhe në sezonin e ri
Kush do të jetë kampioni i Gjermanisë në maj të vitit 2018? Kjo është pyetja klasike që shtohet çdo fillim sezoni në Gjermani. E duke qenë se Bundesligës është tek dera, “Sport-Informations-Dienst” ka marrë mendimin e të gjithë trajnerëve të klubeve të Bundesligës në lidhje me favoritët për titullin në këtë sezon. Edhe këtë herë nuk pritej ndonjë “mrekulli”, sepse pjesa më e madhe e trajnerëve kanë piketuar Bajernin kampion në fuqi si kandidatin numër një për të ngritur lart trofeun në maj të vitit të ardhshëm.
Me një përjashtim, vetëm Bajern – Trajneri i Bajernit Karlo Ançeloti ka qenë i pari që ka folur për këtë temë dhe deklarata e tij nuk ka qenë një surprizë. “Sigurisht që ne do të kërkojmë të fitojmë titullin në fundin e sezonit. Mendoj se Borusia e Dortmundit do të jetë rivali kryesor në këtë sezon, teksa të shohim se çfarë do të bëjë dhe Laipcigu. Ata do të jenë pjesëmarrës në Ligën e Kampioneve dhe kjo do të kushtëzojë sezonin e tyre në Bundesligë”- ka thënë Ançeloti. Edhe trajneri i Laipcigut sheh Bajernin kandidatin numër një për titullin. “Nëse gjithçka shkon sipas trajektores normale, Bajerni don të jetë kampion. Ne dëshirojmë të bëjmë një tjetër surprizë, por ky sezon do të jetë shumë i vështirë”- ka thënë numri një i stolit të Laipcigut Ralf Hazenhytël. Nga ana e tij trajneri i ri i Dortmundit Peter Bos nuk është marrë me titullin, por ka folur vetëm për objektivin e ekipit të vet që është një vend në Champions. Teksa pjesa dërrmuese e trajnerëve kanë zgjedhur Bajernin, vetëm tekniku i ri i Leverkusenit, Haiko Herrlish ka dhënë një mendim ndryshe, duke zgjedhur Dortmundin. “Unë do të zgjedh Borusian e Dortmundit si kampionen e ardhshme të Gjermanisë”- ka thënë ai.