Kristian Panuçi po mendon për ndeshjen me Turqinë në mars, ndërkohë që risia në listën e tij mund të jetë Tomas Guidara. Nga Argjentina janë të sigurt që mbrojtësit të djathtë të Belgranos i ka mbërritur ftesa, madje para pak kohësh u përfol edhe për një takim të tij me trajnerin italian.
Vetë Panuçi e ka thënë më parë se e njeh lojtarin, ka dëgjuar për të. Kaq. Tanimë është Ervin Bulku, ai që në një intervistë të dhënë së fundmi në emisionin “Adrenalina” në INTV, tregon se po shihen lojtarë edhe në Argjentinë.
“Në çdo vit po bëhen seleksionime, kudo. Ka lojtarë që ndiqen edhe në Argjentinë, edhe në Amerikë. Drejtuesit e Federatës dhe drejtori sportiv i momentit, që është Mustedanagic, mendoj se po bëjnë një punë dhe një seleksionim. Por e rëndësishme është që të shikohen gjithë lojtarët, nuk ka rëndësi në çfarë kampionati luajnë. E rëndësishme është që ata që janë pak para të tjerëve, t’u jepet mundësia të veshin fanellën e ekipit kombëtar”, u shpreh Bulku, i cili është pjesë e stafit të Panuçit.
Përmendja e Argjentinës të bën të mendosh se Guidara realisht është përzgjedhur për Shqipërinë. Nuk gjendet informacion nëse mbrojtësi ka ndonjë lidhje me vendin tonë, qoftë edhe me origjinë arbëreshe. Mediat në Argjentinë diçka dinë që shkruajnë, edhe pse ndodh shpesh që menaxherë të ndryshëm “sponsorizojnë” që të fabrikohen lajme të ndryshme.
KUSH ËSHTË ARGJENTINASI – Tomas Guidara ka lindur në Kordoba dhe është pjesë e Belgrano që në moshën 16-vjeçare. Luan si mbrojtës i djathtë dhe e shkuara e tij ka qenë shumë e vështirë. Shpesh është detyruar të flejë në ndonjë shesh, apo poshtë ndonjë ure. I braktisur nga prindërit, Guidara është rritur nga gjyshërit. Të varfër dhe të pafuqishëm edhe për ta ushqyer mirë djaloshin, që tani luan në elitën e futbollit argjentinas me Belgranon. Klubi e ka mbështetur goxha të riun, teksa e ka mbajtur në konvikt dhe i ka ofruar strehim e shqim. Guidara është besimtar: “Me përpjekjen dhe ndihmën e Perëndisë ju mund të arrini suksese. Kur Sebasatian Mendez më grumbulloi, gëzimi im ishte shumë i madh”.
Absolutisht mbrojtësi 22-vjeçar nuk dëshiron që dikush të kalojë ato që ai ka përjetuar në jetë. “Kur paguhem, paratë ia çoj gjyshes. Nuk dua që t’i ndodhë ndokujt ajo që më ndodhi mua”, rrëfen Guidara, i cili për “Marca” ka deklaruar se futbolli ka qenë ilaçi i tij.
“Gjithçka ka ndodhur shumë shpejt dhe jam i lumtur për atë çka ka ndodhur. Duhet të vazhdoj me këmbë në tokë dhe të mos ndaloj së luftuari. Unë jam një mbrojtës i djathtë, por që më pëlqen që të avancoj para dhe të ushtroj presion. Që i vogël kam admiruar shumë Dani Alveshin. Edhe trajneri më kërkon që të sulmoj gjatë ndeshjeve dhe të ndihmoj në sulm. Ka një frymë pozitive dhe më mbështesin të gjithë në skuadër”.
“Futbolli më ka ndihmuar që të bëja para dhe në një farë mënyre të harroja gjithçka tjetër. Momentet më të vështira të bëjnë që të marrësh vendimet e gabuar. U rrita me gjyshërit e mi, por në moshën 13 vjeçare gjyshi më vdiq dhe nisa të sillesha si rebel. Kuptova se duhet të përkushtohesha më shumë në shkollë dhe në futboll, në mënyrë që të ndihmoja dhe unë. Një herë më është dashur që të fle në rrugë, afër vendit ku duhet të prisja autobusin”.
“Në moshën 15-vjeçare nisa që të luaja me një klub, që ishte 130 kilometra larg shtëpisë. Trajneri më merrte në mëngjes me makinën e tij, më çonte në shkollë dhe pasdite shkoja në stërvitje. Një vit më vonë shkova te Belgrano për provë dhe më pranuan”.
“E dua futbollin dhe kam gjetur paqe, duke u stërvitur çdo ditë, edhe pse kam pasur shumë probleme familjare. Basti im ishte pas gjimnazit, kur duhej të bëhesha futbollist profesionist. Me ndihmën e zotit kam gjetur forcë por dhe mbështetje edhe kur nuk isha në 100%. Ndryshoi gjithçka dy vite më parë me klubin që më ka ndihmuar gjithnjë edhe në kohët më të vështira. Një vit më parë kam nënshkruar si profesionist. Jam i lumtur, por duhet të punoj akoma dhe më shumë. Edhe në shkollë po bëj mirë, më pëlqen fizkultura, por dhe anglishtja, që po e mësoj. Duhet të shohim dhe më larg se futbolli. edhe pse përmes tij unë kalova shumë vështirësi. E ardhmja? Jam i lumtur në Belgrano, por dua të luaj në Evropë dhe në Spanjë, pasi atje është një futboll i shkëlqyer dhe do të ishte një mundësi e shkëlqyer”, tregonte Guidara para disa kohësh.