Pikërisht në fundin e karrierës, Bufon përballet me një ndër sfidat më të mëdha të karrierës, sepse Italia rrezikon të mos shkojë në Kupën e Botës, një njollë e paharrueshme për të dhe për gjithë Italinë, ndaj edhe Bufon as që guxon ta çojë nëpër mend atë që ai e quan “katastrofë”.
Bufon, a mund ta shpjegosh me qetësi tashmë, çfarë ndodhi kundër Maqedonisë?
“Po të kishim fituar do ishte më mirë, por nuk do ndryshonte shumë në leximin e ndeshjes. Nëse ke ambicien që të përmirësohesh dhe të jesh protagonist, atëherë duhet analizuar paraqitja, përtej rezultatit të ndeshjes. Paraqitjes e së premtes nuk ishte shprehja më e mirë e skuadrës sonë”.
Çfarë i mungoi Italisë?
“Ishte një ndeshje e çuditshme, sepse në pjesën e parë nuk luajtëm keq, përkundrazi, krijuam 3-4 raste dhe i lejuam vetëm një goditje Maqedonisë. Në pjesën e dytë na hyri frika dhe nuk e kuptoj arsyen, sepse Maqedonia vazhdoi të luante njësoj. Nëse na krijuan probleme, kjo ndodhi vetëm për fajin tonë. Ishte e gjitha një çështje psikologjike dhe në situata të tilla “pleqtë” duhet të udhëheqin të tjerët”.
Cila është receta për të dalë nga një moment kaq kritik?
“Duhet një përgjigje e menjëhershme nga ana jonë, mbi të gjitha nga ata me më shumë eksperiencë. Duke nisur nga unë: duhet të gjejmë mënyrën për të dhënë përgjigje të rëndësishme në Shqipëri. Bën pjesë në përgjegjësitë e rolit tonë dhe nuk duhet t’ia lemë përgjegjësitë dikujt tjetër: nëse konsiderohesh veteran, një lojtar i rëndësishëm i skuadrës, duke të fillosh të bësh tënden, të ndihmosh ata që kanë nevojë dhe më pas gjërat do të përmirësohen”.
Në këtë moment të rinjtë duken të frenuar, ose të ngarkuar psikologjikisht? Mos do duhej të ishin pak më shumë moskokëçarës?
“Në fakt, nëse nuk do të mendoheshin shumë dhe nuk do ta vrisnin mendjen, do të ndihmonte shumë, por pikëpamja ime nuk ndryshon dhe e përsëris: e kemi për detyrë ne më të moshuarit për të ndihmuar ata që nuk kanë shumë eksperiencë, me ndonjë këshillë në fushë, ose duke marrë përsipër ndonjë rrezik më shumë, edhe pse mund të kushtojë ndonjë fishkëllimë. Kush nuk ka shumë personalitet duhet mbështetur”.
Dakord, por nuk mund të mohohet që kohët e fundit të rinjtë në kombëtare kanë vuajtur. A pritej diçka më shumë prej tyre?
“Në jetë ekziston momenti i duhur për gjithçka dhe trajneri ka ndërmarrë rrugën e rinovimit, që është rruga e vetme e mundur. Për një vit kemi pasur rezultate të mira dhe kemi parë një skuadër që është rritur, me entuziazëm, por është e qartë që ecuria nuk mund të jetë konstante dhe kur një djalosh kalon vështirësi në klubin e vet, është normale që edhe në kombëtare të vijë pa garancitë që kishte kur gjithçka i ecte mbarë. Fanella e kaltër peshon dhe të luash një ndeshje 90-minutëshe me Italinë nuk është kurrë e lehtë”.
A sheh përgjegjësi të trajnerit Ventura për rënien në tre ndeshjet e fundit?
“Për Venturën nuk duhet të them asgjë. Kohët e fundit sporti i preferuar ka qenë ai i sulmeve ndaj tij dhe nuk më duket korrekte, sepse për një vit u çmuan puna dhe ndryshimet që solli ai, nuk mund të ndryshojë opinioni për një ose dy ndeshje. Mungesa e fitores ndaj Maqedonisë nuk duhet të ngrejë dyshime mbi aftësitë dhe mirësinë e trajnerit”.
Gazetat dhe kritika ishin mjaft të ashpra pas barazimit ndaj Maqedonisë. E drejtë kështu, apo shihni një lloj rrethimi ndaj Kombëtares?
“Nëse nisim të qahemi dhe të mendojmë se dikush nuk është pro nesh, që klima rreth nesh nuk është pozitive, do të përfundojmë si dështakë dhe kjo nuk na lejohet. Duhet të marrim përgjegjësitë tona, jo të sillemi si viktima. Çdokush duhet të bëjë atë që di dhe do të shihni që gjërat do të përmirësohen”.