“E dimë se kemi humbur, por dimë edhe se kemi 90 minuta të tjera për të zgjidhur këtë situatë të ndërlikuar. Rregulli i parë është që të mos nisësh duke qarë”. Kështu e nisi Xhanluixhi Bufon intervistën e parë pas humbjes me Suedinë. Portieri i Italisë u dha zemër shokëve të skuadrës dhe premtoi një ndeshje të madhe në Milano. “Shpresoj që kriteret e përdorura në gjykimin e kësaj ndeshjeje të vlejnë edhe në përballjen e kthimit. Ne duhet të jemi të sigurt dhe të gjejmë shpresën dhe forcat për përmbysje të hënën, përndryshe kemi humbur që pa luajtur. Ndeshja mendoj se u vendos nga episodet. Nuk ka nevojë që të shpenzojmë energji duke u marrë me analiza. Stadiumi ‘San Siro’ do të na ndihmojë për të bërë një ndeshje shumë më të mirë. Duhet të mbajmë kokën lart. Ka edhe 90 minuta të tjera dhe ne duam të bëjmë më të mirën tonë. Urojmë të luajmë një ndeshje të madhe në kthim. Duhet të tregojmë me krenari se kush jemi dhe se çfarë jemi në gjendje për t’u bërë rivalëve”.