“Broja tekanjoz, duhet kujdes që të mos e humbim”, Luçi lë Cikalleshin jashtë Europianit: Lodhet që në minutën e 30, harxhon energji pa nevojë

Roland Luçi ka dhënë një intervistë për emisionin “Sport Focus” që prezantohet nga Drilon Xhepollari dhe transmetohet në “Ora News”. Ish-futbollisti ka dhënë mendimin e tij sa i përket Brojës. Luçi ka bërë thirrje që ky lojtar të trajtohet me kujdes pasi mund ta humbim përfundimisht. Gjithashtu, ai ka thënë se në Europian duhet të shkojë Broja dhe Daku, ndërsa sipas tij, Cikalleshi është një lojtar që konsumohet shpejt në fushën e lojës.

“Me këtë lojtar duhet patur kujdes. Ka pasur edhe një plasaritje edhe në kohën e Rejës. Duhet të kemi kujdes, sepse mund ta humbasim përfundimisht këtë lojtar. Ai mund të jetë pak tekanjoz. E bën pozicioni ku ai luan, është në vendin më të privilegjuar futbollistik të globit. Jo t’i joshet ambicia e tij personale, t’i plotësohet çdo tekë dhe të gjitha dëshirat, por duhet shumë takt me lojtarë të tillë. Jo se është fenomen dhe ka arritur gjithçka me Chelsea-n, por ai ka cilësi të jashtëzakonshme që të arrijë nivelin më të lartë të futbollit. Pra ka një start të jashtëzakonshëm, ka veti të jashtëzakonshme. E sulmon kundërshtarin vertikalisht si pak lojtarë, e theksoj, si pak lojtarë në botë jo në Shqipëri.

Ai është në momente euforie. Ai ndihet i privilegjuar, sepse luan te Chelsea, si asnjë tjetër lojtar i Kombëtares sonë. Ndihet si më i miri. Në qoftë se nuk i vë aftësitë e tij në shërbim të ekipit, ai do të dali bllof dikur. Në mënyrë absolute. Por nuk mendoj që do të shkojë puna deri këtu. Por që duhet kujdes nga drejtuesit e Federatës, nga drejtuesit e stafit. Jo me arrogancë, jo me mendjemadhësi, jo me përplasje. Mendoj që dyshja më e mirë e sulmit tonë në Gjermani, i konsideroj të mbyllura eliminatoret, do të jetë Daku dhe Broja. Cikalleshi është shumë punëtor, i ka dhënë shumë ekipit tonë kombëtar. Por ai djalë konsumohet më tepër se sa duhet pa rendiment. Ai harxhon shumë energji pa nevojë dhe që nga minuta 30,35 ndihet i lodhur”, është shprehur Roland Luçi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *