“Broja është i vetëdijshëm për interesimin e Napolit”, ndihmësi i Rejës: E pyeta për të ardhmen, më tha se…

Serxho Porrini ka folur për mikrofonin e “Radio Goal” në “Kiss Kiss Napoli”, ku pjesë e temave të diskutuara ka qenë edhe Armando Broja. Ky i fundit është dëshira e madhe e Napolit në merkato, që sipas mediave italiane, ka nisur kontaktet me Celsin për të siguruar shërbimet e tij. Ndihmësi i Rejës në Kombëtaren shqiptare ka bërë me dije se Broja është i vetëdijshëm për interesimin e Napolit, por ka vendosur të pushojë dhe t’ja lërë në dorë zgjedhjen agjentëve të tij. Porrini i thur elozhe sulmuesit shqiptar, të cilin e këshillon vetëm për faktin se i duhet të punojë në rastet kur gjendet me shpinë nga porta për tu bërë më pas një lojtar i madh.

“Në kampin e fundit stërvitor me Shqipërinë fola me të, u përpoqa ta bëja të kuptojë disa nga lëvizjet që duhet të bëjë për të vënë në vështirësi mbrojtësin. Ai është shumë i fortë kur e merr topin në këmbë, kur fillon në progresion bëhet eksitues. Ai duhet të përmirësohet shumë me shpinën drejt portës, duhet të kuptojë që për shkak të përshpejtimit që ka, nëse do të mund të lëvizte mirë pa topin do të bëhej vërtet një lojtar i kompletuar.

Për moshën e tij, megjithatë, ai ka mjetet për të zhveshur mbrojtjen e kundërshtarit. I pëlqen shumë të rrotullohet me sulmuesin e parë pavarësisht se është shumë i gjatë, është gati 1.90, por ka teknikë në shpejtësi. E kam të vështirë ta krahasoj me një lojtar të së kaluarës, sepse ai ka karakteristikat e tij të veçanta. Në disa lëvizje më kujton Leaon. E pyeta për të ardhmen e tij, tani ai ka disa opsione. Ai është i vetëdijshëm se edhe Napoli është i interesuar, por për momentin dëshiron të shkojë me pushime dhe t’ia besojë tregun e transferimeve agjentëve të tij dhe më pas të bëjë zgjedhjen e duhur për të”, ka deklaruar Serxho Porrini./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *