Dejvi Bregu në udhëkryq, e ardhmja e tij është e paqartë dhe me shumë gjasa vlonjati në verë do të lërë Shqipërinë. Asgjë nuk ka ecur sipas planeve të yllit të Luftëtarit, i cili ishte i Skënderbeut, që e siguroi kur mbylli marrëveshjen për blerjen e Kristal Abazajt, disa muaj më parë, por që atëherë shumë gjëra kanë ndryshuar.
Skënderbeu është përjashtuar për 10 vite nga kupat e Europës dhe nëse ashtu si pritet, nuk do të luajë në kupat e Europës këtë verë, praktikisht gjithçka zerohet dhe me shumë gjasa skuadra do të shpërbëhet, për shkak të kostos së madhe financiare.
Edhe Bregu nuk do të përfundojë në Korçë, kjo është logjike, pasi edhe marrëveshja me Skënderbeun përfshinte një pagë prej “top player” dhe pjesëmarrje në kupat e Europës, aty ku Skënderbeu do të kishte mundësi ta reklamonte fantazistin vlonjat, për të tentuar shitjen me shifra të larta.
Tashmë gjithçka merr një kthesë të fuqishme dhe Bregu në verë do të studiojë ofertat nga jashtë, por nëse nuk del ndonjë variant që e kënaq plotësisht, nuk është çudi që të shohë me kujdes edhe ofertat nga vendi. Flamurtari i bëri një ofertë të jashtëzakonshme në janar, duke i premtuar edhe lënien të lirë në verë, nëse gjente ekip jashtë Shqipërie, por Bregu refuzoi, natyrisht për faktin se e kishte një marrëveshje me Skënderbeun, por gjithashtu nuk dëshironte të ndryshonte ambient në mes të sezonit. Në verë shumë gjëra mund të ndryshojnë dhe Bregu do të mendohet mirë. Gjithsesi, së pari duhet mbyllur marrëveshja me Skënderbeun, klub me të cilin ekziston një parakontratë dhe natyrisht klubi korçar do të kërkojë të përfitojë nga transferimi i Bregut.