Bregu: Krenar që jam te Luftëtari, të ardhmen e kam vendosur

Një nga yjet e kampionatit shqiptar, Dejvi Bregu ka rigjetur buzëqeshjen pas disa muajsh të vështirë me Luftëtarin e tij. Prej dhjetorit skuadra gjirokastrite është kthyer në një tren të pandalshëm dhe ka marrë përpara Partizanin, Kukësin dhe tani edhe Skënderbeun, duke filluar të shohë për diçka më shumë se thjesht mbijetesa. Në lidhje direkte me “Zona gol” në Supersport, fantazisti vlonjat ka folur për këtë ecuri të skuadrës së tij: “Luftëtari është një skuadër shumë vlera. Është një projekt që ka nisur prej dy vjetësh dhe i ka bindur të gjithë. Jam krenar që kam qenë pjesë e këtij klubi, ndërsa ardhmen time e kam vendosur tashmë. Do doja të mos flisja në fakt, pasi dua të respektoj deri në fund klubin. Të ardhmen time e kam vendosur dhe për arsye etike nuk dua të flas. Skënderbeu? Është trampolinë shumë e mirë për çdo futbollist, pasi pjesëmarrja në Europa League e rrit shumë vlerën e lojtarëve”.

Bregu është vlonjat dhe në janar klubi kuqezi e kërkoi me ngulm, por nuk u bë asgjë, me 22-vjeçarin që refuzoi të lëvizte nga Gjirokastra, sa për faktin se dëshironte të çonte sezonin deri në fund si bluzi, aq edhe se në Vlorë u largua i zhgënjyer dhe ndoshta nuk do ta përballonte dot qetësisht presionin e kthimit aty: “Mendoj që Flamurtari është e kaluara, e kam në zemër se aty jam rritur. Kam kujtime të bukura aty pasi kur del nga akademia dhe bëhesh pjesë e ekipit të parë është diçka e veçantë. Klubin dhe tifozët i respektoj, kujtimet e këqija i kam harruar”.

Natyrisht, në këtë moment Bregu e Abazaj janë dy xhevahirët e gjithë Supoeriores, por Bregu nuk nxitohet kur i përmendet Kombëtarja: “Do ishte diçka e bukur nëse do bëhej realitet, Kombëtarja është ëndrra më e madhe për një shqiptar. Gjithsesi, duhet shumë punë që të arrij Kombëtaren dhe të jem gati për të”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *