Bravo Partizani, bravo Elbasani! Super ndeshje në Superiore, pika që vlen për kartolinë

Ndeshja e sotme mes Partizani dhe Elbasanit ishte nga ato ndeshje që janë për kartolinë në Superiore. Si për ironi të fatit, një ndeshje e mbyllur në shifrat 2-2, si për të treguar se kjo është mënyra sesi duhet të luajnë skuadrat futboll.

Lajthia shënoi golin e parë të takimit në minutën e 22, por portieri i Elbasanit bëri një ndërhyrje të gabuar në minutën e 26 dhe u ndëshkua me karton të kuq. Skuka do të shënonte golin e barazimit në të 41, duke sjellë festën e madhe te Partizani.

Në të 65, Isgandarli realizoi golin e dytë për Partizanin, që e afronte me fitoren. E teksa ndeshja po vazhdonte në shifrat 2-1, në minutat e fundit të saj, ka pasur shumë frikë. Papritur Sembene ka rënë pa ndjenja në fushë, pa pasur asnjë kontakt me kundërshtarët, duke u rrëzuar menjëherë.

I menjëhershëm ishte edhe ndërhyrja e stafit të Partizanit, ashtu si edhe hyrja e ambulancës. Pamjet në fillim ishin shumë të frikshme, por pas pak minutash u kalua momenti më i vështirë i situatës dhe Sembene u përmend pa hyrë në ambulancë duke marrë duartrokitjet e të gjithëve.

Për këtë arsye minutat e shtesës ishin të gjata dhe Lajthia shënoi golin e tij të dytë personal pas një goditje këndi dhe ngecje të topit në zonë, duke barazuar në 2-2. Minutat e fundit të takimit ishin akoma edhe më emocionuese, me lojtarët që jo vetëm nuk njihnin lodhjen, por shtuan më shumë ritmin në fund. Por asnjë gol tjetër nuk u realizua, pikën u ndanë, ndërsa ndeshja ishte vërtet fantastike për t’u parë. /Sport Ekspres/