Keylor Navas ka ndjekur rrugën e shumë lojtarëve të tjerë, teksa ka vendosur të “braktisë“ Parisin për tu rikthyer në vendlindjen e tij. Portieri i njohur, që prej një viti është pjesë e PSG-së, ka preferuar ta kalojë këtë periudhë tejet të vështirë për mbarë globin në Kosta Rika. Por dëshira për tu lagruar nga Franca e ka një kosto, shumë të lartë madje. Shteti francez ka pezulluar të gjitha fluturimet me vendet e tjera të botës për këtë arsye Navasit i është dashur të shkundë xhepat për të shkuar drejt vendlindjes së tij së bashku me familjen.
Plot 200 mijë dollarë i ka kushtuar ky udhëtim ish-gardianit të Realit të Madridit, që ka marrë me qera një avion privat për ta dërguar në San Jose. Një shifër e kripur kjo, por duket se për Keylor Navas ia vlen. Franca po kalon një moment delikat, teksa numri i të infektuarve me Covid-19 është rritur ndjeshëm, ashtu si edhe ai i viktimave. Në këto kushte Kosta Rika duket një vend më i sigurt për të kaluar këtë pandemi, ndërsa lojtari duhet të ndjekë rregullat dhe të qendrojë për 14 ditë në karantinë pas mbërritjes./Sport Ekspres/