I nxehti nuk është një problem pa zgjidhje në Katar. Kjo ishte frika më e madhe për organizimin e Kupës së Botës në këtë vend, ku temperaturat shkojnë lehtësisht deri në 50 gradë celcius. Për të kaluar këtë problem, në Gjirin Persik kanë gjetur zgjidhje teknologjike.
Në stadiumin “Khalifa”, aty ku vitin e ardhshëm do të zhvillohet Botërori i Atletikës, është instaluar një sistem ftohje. Ky aktivitet do të shërbejë edhe si testi gjeneral për inpiantin përpara startit të “Katar 2022”. Sipas “L’Eqiupe”, edhe pse stadiumi nuk është i mbyllur plotësisht, aty temperatura qëndron 26 gradë në mënyrë konstante, ndërkohë që temperatura jashtë është 40 gradë celcius.
Zgjidhja bazohet në konceptin e flluskës së ajrit të ftohtë, e cila në momentin kur krijohet në stadium, nuk lejon hyrjen e ajrit të nxehtë. I gjithë procesi i ftohjes realizohet në harkun e 30 minutave. I ftohti krijohet nga një sistem ftohje, i instaluar në rreth 2 kilometra largësi nga stadiumi, i cili shndërron në akull, ujin e grumbulluar nga rreshjet e pakta të shiut në Katar.
Inxhinieri Saud Abdul Ghani, i cili ka krijuar projektin, shpjegoi për “L’Equipe”: “Bëhet fjalë për një sistem të integruar në stadiumet e Botërorit 2022, i cili është krijuar në vitet ‘70 dhe që mundëson 40 për qind kursim energjie, krahasuar me modelet standarde”. Një alternativë e mirë për të luftuar të nxehtin mbytës me të cilin do të përballen skuadrat finaliste në evenimentin më të rëndësishëm të futbollit.