“Boshnjaku na hapi shumë probleme”, Orges Shehi flet pas ndeshjes me Vllazninë: Ritmi i ndeshjes ishte mbi mesataren e Superiores

Në ditën e sotme janë luajtur tre ndeshjet e para të javës së 12 të Superiores. E gjithë vëmendja ishte e përqendruar te takimit mes Vllaznisë dhe Tiranës. Kjo ndeshje u mbyll në barazimin pa gola. Rastet nuk munguan, por asnjë nga ekipet nuk konkretizoi. Në pjesën e parë ishin shkodranët më të rrezikshëm, ndërsa në të dytën ishte Tirana që i shkoi më afër golit.

Nga krahu tjetër ekipi i Duros vazhdon me rezultate fantastike. Këtë herë Egnatia mund Laçin 2-0, me kurbinasit që vinin nga një formë e mirë. Vendasit dominuan në krijimin e rasteve dhe duheshin 64 minuta që Agbekpornu të realizonte me kokë. Në minutën e fundit mendoi Fernando që të ngrinte të gjithë stadiumin në këmbë për 2-0.

Emocione kishte edhe takimi mes Kastriotit dhe Kukësit. Ekipi i Celës kaloi në avantazh vetëm dy minuta pas nisjes së pjesës së dytë me Santiago Selmanin. Kur pritej që ndeshja të mbyllej 1-0, mendoi Stojanovic i Kastriotit me autogolin e tij për t’i dhënë sfidës rezultatin përfundimtar, 1-1. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:

Shehi: “Ishte një ndeshje me ritëm të lartë. Në pjesën e parë na hapën probleme me Boshnjakun, por në të dytën morëm masat tona. Ndeshja e Supërkupës do të jetë tjetër me Vllazninë, është një trofe për t’u luajtur. Ritmi ishte mbi mesataren për Superioren. Duke pasur këtë ritëm, nisën edhe problemet fizike. Vllaznia është një nga pretendentët për titull”.

Dobi: “Me volumin që kemi krijuar, barazimi nuk na kënaq. Sigurisht që mënyra sesi erdhi loja, duhet të na kënaqi, pasi ishte edhe autogol. Megjithë respektin për Kastriotin, por shënoi me goditjen e parë në portë. Jam krenar me volumin që ka krijuar ekipi. Nuk mund të jemi të kënaqur kur nga 6 gola, 5 i pësojmë nga goditjet standarte.

Vukicevic: “Është normale që të humbësh ndonjëherë, por nuk është normale që të luash si luajtëm ne sot. Dua t’i jap urime Egnatias, luajtën shumë më mirë se ne. Më vjen keq sepse e përgatitëm shumë mirë ndeshjen. Ekipi u fut në fushë pa motivim dhe nuk ishim agresiv. Humbëm çdo duel në pjesën e parë dhe dukej sikur po zhvillonim një ndeshje miqësore. Mendoj se e meritonim humbjen. Nuk duhet të jemi të kënaqur për këto rezultate. Do të ulemi dhe të analizojmë situatën, të shohim se kush është më e mira për ekipin. Nëse një ekip ndryshon nivelin e lojës në çdo ndeshje, nuk është serioz. Nuk e di sesi kanë luajtur futbollistët tanë sot. Ishte një ndeshje e fundit e kampionatit, ku pas saj do të vinte pushimi prej 1 muaj, duhej të jepej gjithçka. Disa lojtarë kanë menduar për biletën e avionit që të marrin pushimet para kohe. Ekipi nuk reagoi nga fillimi, nuk duhet të pësosh gol që të reagosh pastaj”.

Mirel Josa: “Kishim një Tiranë që ishte në krye të Superiores. Ne mund të pësonim dhe të shënonim. Rregulluam pak ekuilibrat e lojës në pjesën e dytë. Duke parë lojtarët që ka Tirana dhe mënyrën sesi po luanim ne, duhej që të kishim ekuilibrat. Xhixha nuk po shkonte që të ndiqte Gurishtën, po rrinte gati për të na kapur në kundërsulm. Prandaj në pjesën e dytë i rregulluam këto gabime. Jam i kënaqur me ritmin që kishte loja. A jemi për titull kampion? Dua që ekipi të rritet, kjo është e rëndësishme. Është herët për të folur. Po të rrinim mbrapa, do ta pësonim gol në një moment kundër Tiranës. Me rëndësi që nuk humbëm dhe tentuam për të fituar. Nuk mund të fitojmë në çdo ndeshje, dinë të luajnë futboll edhe të tjerët. Nuk e kemi atë potencial për ta kërkuar një gjë të tillë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *