Komisioni i Disiplinës ka pasur shumë punë këto ditë, sepse sot ka dalë me një vendim edhe për çështjen “Tirana kundër Muzakës”.
Klubi bardheblu ka humbur gjyqin ndaj mesfushorit në të gjitha shkallët dhe duhet të paguajë 107 milionë lek paga të prapambetura, por deri tani nuk ka paguar asgjë, thjesht sepse nuk ka lek dhe është dëmtuar rëndë edhe nga dënimi i UEFA-s, që nuk i ka dhënë paratë e pjesëmarrjes në Europë verën e shkuar (215 mijë euro).
Tani Disiplina i heq tre pikë Tiranës në renditje, duke i lënë 15 ditë afat për të shlyer Muzakën, por ndërkohë në përfundim të 15 ditëve do t’i heqë edhe 3 pikë dhe do t’i lërë 10 ditë të tjera kohë.
Praktikisht, thjesht ultimatum prej 25 ditësh, sepse 6 pikë nuk i hyjnë në punë askujt, duke parë që Tirana ka 13 pikë avantazh nga Bylisi ndjekës.
Megjithatë, Disiplina nuk ka shpjeguar se çfarë do të ndodhë nëse Tirana nuk paguan deri në qershor. Bisedime mes Tiranës e Muzakës ka, por mesfushori nuk pranon të paguhet me këste e kjo histori të zvarritet pa fund.
VENDIMI
- KF “Tirana”, për dështim në përmbushjen e detyrimeve financiare ndaj kërkuesit Gjergji Muzaka, dënohet me zbritjen e 3(tre) pikëve nga klasifikimi.
- KF “Tirana” i jepet një afat përfundimtar prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh për të shlyer detyrimet financiare ndaj kërkuesit.
- Paralajmërohet KF “Tirana” se në rast dështimi në përmbushjen e detyrimeve financiare do të dënohet sërish me zbritje e 3 (tre) pikëve nga klasifikimi brenda një afati 10 (dhjetë) ditor për shlyerjen e detyrimeve financiare.
Refik mblidh mendjen ! Tirona ndodhet ne pozite shume te veshtire dhe ka mundesi qe ne rast mos ekzekutimi te vendimit tirona te zbrese nje kategori me poshte cka do te ishte nje goditje edhe me e madhe se vjet per ekipin tifozet dhe futbollin shqiptar. Shit aksionet afro njerez te tjere dhe kerko bashkepunim per te dale nga situata se koha nuk pret dhe laku po mblidhet vertet shume keq kesaj radhe. Edhe tifozet e tirones duhet te reagojne sa me shpejt perpara se te jete shume vone sic ndodhi vjet