Kombëtarja U-19 e drejtuar nga trajneri Erjon Bogdani do të zhvillojë dy ndeshje miqësore ndaj përfaqësueses së Kazakistanit. Ndeshjet do të zhvillohen në qytetin e Lushnjës në datën 24 dhe 27 mars 2018. Në konferencën për shtyp ku prezantoi listën, trajneri Erjon Bogdani ka folur edhe për sulmuesin Ismet Sinani, i cili aktivizohet te Milani, por te Shqipëria nuk është preferuar dhe tashmë i zhgënjyer ka vendosur të luajë për vendlindjen e prindërve të tij, Kosovën.
Sulmuesi 18-vjeçar ka luajtur 739 minuta këtë sezon në kampionatin Primavera në Itali, ndërsa mes kampionatit e kupës ka luajtur 22 ndeshje, duke shënuar 6 gola e dhënë 4 asiste, edhe pse shpesh nuk ka qenë titullar. Sa për krahasim, Sinani ka luajtur po aq minuta te Milani sa Armand Rada tek Interi, për të cilin Bogdani ka fjalë shumë të mira dhe e konsideron futbollist me të ardhme.
Në lidhje me Sinanin, Bogdani ka shpjeguar pse nuk e grumbulloi vjeshtën e shkuar, duke e konsideruar Sinanin lojtar stoli, i cili shënoi një gol duke luajtur 10 minuta në një ndeshje dhe nuk mjafton kaq për ta quajtur talent: “Sinanin nuk e grumbullova në tetor, pasi nuk kishte luajtur asnjë minutë me Milanin. Më pas ai zhvilloi 10 minuta me këtë ekip duke shënuar dhe një gol. Nuk mund të them se kemi të bëjmë me një talent, pasi Sinani luan shumë pak me ekipin e Milanit dhe ka shumë luhatje. Talent quhet ai për të cilin flasin mediat gjithmonë, luan rregullisht ose bën 2 gola për ndeshje. Kemi pasur pak probleme me portierët dhe tashmë kam thirrur Marko Aliaj, që luan me Lacion. Tashmë shpresojë që këto vlera që ai tregon te Lacio, t’i tregojë edhe në ekipin kombëtar. Bushit i kam sugjeruar Armand Radën. Ky futbollist është me shumë të ardhme, por duhet të kemi kujdes”.