Bjellorusia na bën “zbor” në bllok dhe na mund lehtësisht

Shqipëri – Bjellorusi 0-3

(17-25, 22-25, 14-25)

Shqipëria: Gjoklaj, Koçi, Husaj, Malaj, Qafarena, Deliu, Kola (L), Bërdufi (L)/Arapi, Qepa, Gaxiri Trajner: J.Melka

Bjellorusia: Audoshanka, Busel, Kmialeuski, Burau, Miskevish, Kurash, Budziukin (L), Aplevish (L)/Udris, Pranko, Tsiushkevish, Daviskiba Trajner: V.Beksha

Gjyqtarë: J.Hujsenoviç (Bosnje-Hercegovinë), Ko.Gjoka (Shqipëri)

Asistentë: E.Papamihali, A.Brokaj, R.Mujo, A.Nurja (Shqipëri)

Bjellorusia na ka bërë “zbor” në lojën në bllok, ndërsa na ka nxjerrë jashtë loje lojtarët më të fortë, që janë Husaj, Koçi dhe Qafarena. E për rrjedhojë fitorja e tyre 3-0 ishte thuajse punë e mbaruar. Nisur dhe nga fortësia e kundërshtarit, duket sikur tanët janë dorëzuar ende pa hyrë në fushë. Dhe për rrjedhojë skuadra nuk del në lojën e vet. Në setin e parë Bjellorusia ka kryesuar 4-9, 9-16, 14-20 dhe në fund 17-25. Po kështu në të dytin 9-13, 13-18, 17-21, 22-24 derisa ka fituar 22-25. I treti është i gjithi për Bjellorusinë; 7-11, 9-18 dhe në fund 14-25. Pikëshënuesi më i mirë i ndeshjes Husaj dhe Qafarena të Shqipërisë dhe Miskevish i Bjellorusisë me 11 pikë secili. Në bllok kanë dalë fitues Kmialeuski dhe Miskevish të Bjellorusisë me tre mure secili, kurse në shërbim Kmialeuski dhe Miskevish me nga një secili. 11 mure fituese të Bjellorusisë, herë tresh dhe herë dysh, katër të Shqipërisë, ndërsa numërohen dy treshe dhe një tek i Malajt, apo dhe një dysh i Koçit, bëjnë diferencë. Për të thënë që na mundi në çdo drejtim.

Trajneri i Shqipërisë

Melka: Ky është ekip i ri, na mungojnë katër lojtarë

Trajneri i Shqipërisë, Jani Melka, në përfundim të ndeshjes me Bjellorusinë do të deklaronte se skuadra që ai drejton është një skuadër e re në moshë. “Ne prisnim diçka të ndryshme nga kjo lojë, por nuk arritëm atë që donim dhe nuk arritëm atë që kemi bërë deri më tani në stërvitje. Bjellorusia e meritoi fitoren. Ata luajtën më mirë se ne, ndërsa ishim paksa të ngadaltë. Ky është një ekip i ri. Kemi mungesën e katër lojtarëve nga viti i kaluar, që unë i njihja mirë. Kështu që ne ende duhet të punojmë për të fituar ndeshjen e ardhshme në shtëpi para tifozëve tanë”, tha Melka për RTSH Sport.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *