Birhof lëshon “bombën”: Ozil nuk duhej marrë në Botëror

Në një intervistë të publikuar në edicionin e sotëm të gazetës Die Welt, menaxheri i përgjithshëm i kombëtares gjermane Oliver Birhof ka pranuar se ai dhe stafi i tij në federatën gjermane (DFB) dështuan në kontrollimin e atmosferës së rënduar që rrethoi Ozilin dhe Gyndoganin para Kupës së Botës.

Dy futbollistët me origjinë turke u takuan dhe u fotografuan me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan në Londër dy ditë para se Joakim Lëv të shpallte listën e lojtarëve që do të nisnin përgatitjet për Kupën e Botës në Rusi. Ajo që shkaktoi debat ishte një fanellë dhuruar Erdoganit, me fjalët: “Me respekt të madh për presidentin tim”. Gjithçkandodhi pak ditë para zgjedhjeve presidenciale në Turqi dhe natyrisht jehona që i bënë në Turqi ngjarjes ishte e madhe.

Ndonëse Gyndogan u mundua më vonë të sqaronte të gjithë dhe të zbuste situatën, sërish tifozët i fishkëllyen dy lojtarët me origjinë turke dhe Birhof tani pranon se Federata mund t’i kishte bërë më mirë gjërat dhe se çështja e dy lojtarëve u nënvlerësua.

“Besoj se skuadra nuk ishte shumë e shqetësuar nga fakti që Mesut dhe Ilkaj ishin në foto, por debati mediatik nuk u ndal. Tani, duke i parë gjërat në retrospektivë, mendoj se çështja duhej trajtuar në mënyrë më të vendosur”.

Birhof i referohet faktit që Ozil nuk foli asnjëherë për mediat dhe u lejua që të shmangte konferencën e detyruar për shtyp në fillim të kampit stërvitor në Austri. Në intervistën e tij, Birhof shprehet se për atë veprim ai dhe stafi i duhej duhej ta kishin menduar seriozisht përjashtimin e Ozilit nga kombëtarja.

“Ne nuk i kemi detyruar kurrë lojtarët që të bëjnë diçka, por gjithnjë jemi munduar ti bindim me dialog. Nuk ia dolëm dot me Ozilin, ndaj do ishte dashur që ta linim jashtë kombëtares”, shprehet Birhof, i cili mendon se Gjermania tani ka nevojë për revolucion, n çdo drejtim.

“Në 14 vitet e fundit kemi pasur suksese të mëdha, por është e qartë që ne kemi vendosur gjithçka në provë tashmë, duhen ndryshime madhore në ndërtimin e skuadrës dhe gjithashtu në strukturën drejtuese. Duhen shkurtime në çdo nivel, sepse në Rusi nuk u paraqitëm si një skuadër e bashkuar dhe kjo më dhemb shumë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *