Çudia më e madhe ndodh në qytetin më juglindor të vendit, skuadra do të luajë në Maliq dhe Pojan, sepse Bashkia e Devolli s’e lë në stadium
Leonard Trebicka
Mund të quhet viti historik për qytetin e Bilishtit, qyteti më juglindor i Shqipërisë, që në hartë ndodhet vetëm pak km larg Greqisë. Këtë sezon ky qytet i vogël do të përfaqësohet dhe në futbollin e femrave, ndërsa skuadra quhet Bilisht Sport, ndërsa së bashku me Pogradecin do të debutojë në kampionatin që nis të shtunën. Prefektura e Korçës ka tre skuadra në kampionatin e futbollit të femrave, Skënderbeun, Bilisht-Sportin dhe Pogradecin. Vite më parë ka qenë një skuadër me emrin Bilisht-Sport, por që ishte ajo e Skënderbeut dhe që veshi fanellën e skuadrës nga Devolli. E kjo falë mbështetjes së presidentit Spartak Meraku. Bilisht-Sportin është hera e parë që merr pjesë në një event të tillë, ndërsa të gjitha vajzat janë nga qyteti i Bilishtit. Madje ka edhe nga fshatrat përreth, si Mirasi, Ponçara, ndërsa janë të gjitha vajza me pasion dhe vullnet për t’i dhënë emër dhe histori qytetit të Bilishtit. Është nisma e dy vëllezërve, Spartak dhe Trifon Meraku, ajo që bëri të mundur që një qytet kaq i vogël të ketë një ekip të “madh” siç është ky i femrave të Bilisht-Sportit.
Meraku
Nismën më të madhe e ka trajneri dhe specialisti më i mirë në rrethin e Bilishtit, Trifon Meraku, i cili ka qenë iniciatori i parë që ngriti këtë skuadër nga fillimi. Janë rreth 18 vajza të federuara, të cilat do të përfaqësojnë fanelën e këtij qyteti. Dje, në prag të startit të sezonit të ri, trajneri Trifon Meraku për “Sport Ekspres” ka deklaruar: “Ndihem më shumë se i kënaqur që mora këtë nismë kaq të madhe për të përfaqësuar Bilishtin me këtë skuadër vajzash. E kemi nisur nga zeroja, por me vullnet të madh për të qenë në elitën e futbollit të femrave. I falënderoj përzemërsisht të gjitha vajzat futbolliste, të cilat janë të gjitha rreth moshës 16-17 vjeç dhe që kanë sakrifikuaar shumë nga jeta e tyre. Të gjitha me një synim, që të ngrenë emrin e qytetit sa më lart. Jam shumë i kënaqur për gjithçka, pavarësisht se ky është viti i parë dhe nuk do të kemi pretendime të mëdha. Kemi vetëm disa muaj që po stërvitemi në kushte të vështira, në kalçeto, por që preokupimi dhe dëshira e vajzave është maksimale. Falënderoj maksimalisht edhe vëllain tim, presidentin Spartak Meraku, që do të japë mbështetjen e madhe financiare dhe sigurisht është një dashamirës i madh me këtë qytet. Aq sa arriti të japë “ok”-un edhe për këtë grup vajzash që përfaqësojnë këtë qytet.”
Çudia
Sa herë ka diçka historike, padiskutim që në Shqipëri ka edhe diçka të çuditshme. Bilisht-Sporti nga e shtuna do të marrë pjesë në elitën e futbollit të femrave në vend. Por Bashkia e qytetit akoma se ka dhënë “ok”-un që kjo skuadër të luajë në stadiumin e Bilishtit. Dhe ky ekip pritet t’i luajë ndeshjet në stadiumin e Maliqit, por nganjëherë edhe në stadiumin e Pojanit. Sigurisht që kjo është më shumë se e çuditshme, pasi Bashkia e qytetit duhet t’i kishte hapur dyert me “vrap” për një ekip femrash, të cilin do ta dëshironin edhe qytete të tjera shumë herë më të mëdha se Bilishti. Fjalën e fundit pritet ta thotë edhe këshilli bashkiak në mbledhjen më të afërt, por që ky ekip i sapoformuar meriton një Bravo të madhe…