Nëntë javë, një fazë kampionati, mjafton për të bërë një bilanc në Kategorinë e Parë, aty ku të gjithë e nisin me pretendime të mëdha, por mjaftojnë pak ndeshje për t’u dalë “lakrat”, që nga ekipet aspak cilësore e deri te ndërtimi i vonuar i skuadrave, që çojnë te problemet me formën fizike dhe mosambientimin. Po ashtu, një problem madhor është ana financiare, pasi shumica e klubeve mbijetojnë mes 100 halleve.
Nga të gjitha këto probleme, imunitet duket se ka vetëm Kastrioti. Klubi krutan ka bërë gjithçka në mënyrë perfekte këtë verë: trajneri i ri dhe ambicioz, me Nikajn që ngjiti Flamurtarin e Prishtinës në Superiore dhe tashmë ka të njëjtin synim në Krujë. Financa të garanatuara, merkato shumë e kujdesshme dhe cilësore, pa lënë asgjë për në fund të gushtit. Mbrojtje e shkëlqyer, vetëm 4 gola të pësuar, si dhe sulm që shënon me lehtësi, ndërkohë që 23 pikët e grumbulluara deri tani kanë brenda një të dhënë që flet qartë për forcën e Kastriotit: asnjë humbje, si asnjë ekip tjetër në 20 skuadrat e së Parës këtë sezon. Me 8 pikë më shumë se ndjëkësit më të afërt, Kastrioti duket se nuk ka ndërmend të presë pranverën për të kapur Superioren. Edhe pse pikët do të përgjysmohen në fillim të fazës play-off (8 ndeshje shtesë mes 5 skuadrave të kreut, me vajtje ardhje), Kastrioti që tani ka 4 pikë avantazh nga ndjekësit dhe nëse e çon në 6 e lart këtë diferencë, do të jetë i pakapshëm në play-off.
Pas Kastriotit qëndron Tirana, ajo që duhej të “masakronte” rivalët, por që deri tani ka pasur edhe luhatje, si dje në Shënkoll. Një barazim zhgënjyes, me vuajtje, në një kohë që skuadra është mjaft cilësore për të Parën dhe pas 6 javëve të para duket se kishte marrë fund gjithçka. “Dushi i ftohtë” me Bylisin në shtëpi tregoi se jo gjithçka shkon mbarë dhe nëse dje pika u quajt e pranueshme, kjo erdhi vetëm nga fakti se Bylisi u mund në Fier. Me siguri Tirana do të ngjitet, është tepër superiore, por nëse Ze Maria vendos kapiten afrikanin e ri Sentamu, i cili në shqip thotë vetëm Mirëdita, atëherë diçka nuk shkon. Herët a vonë “kutia e Pandorës” do të hapet, duke njohur ambientin e vështirë te Tirana.
Të tjerat? Besëlidhja është e dyta në Grupin A, por ka zhgënjyer këtë sezon, me vetëm 4 fitore në 9 ndeshje dhe me dy trajnerë deri tani. Rruga është e gabuara, por ndoshta në Lezhë e kanë fjetur mendjen: më mirë të mundohen të evidentojnë talente si Kamara e Sidibe, sesa të vriten për një aventurë të kotë në Superiore, ku shpenzimet janë kolosale dhe mbijetesa është thuajse e pamundur.
Po Egnatia? Erdhi pa zhurmë, bëri afrime qetë-qetë dhe ruajti bërthamën e sezonit të shkuar, ndërsa në prag të sezonit mbylli edhe bisedimet për disa afrikanë që duken të talentuar. 15 pikë në 9 ndeshje, ecuri e shkëlqyer jashtë fushe, por në Rrogozhinë po marrin shumë ekipe pikë. Gjithsesi, Egnatia meriton duartrokitje. Mos të harrojmë që ka fituar 5-1 në Kavajë ndaj Besës.
Meqë jemi te Besa: bëri zhurmë në verë, kur afroi disa emra të njohur, por tullumbacja u shfry shpejt dhe tashmë Besa është 10 pikë larg kreut, ka marrë vetëm një pikë në 4 ndeshjet e fundit dhe i ka shumë pranë ndjekësit.
Burreli është skuadra që ka zhgënjyer më shumë, të paktën ata që e ndjekin nga jashtë, sepse ata që e njohin mirë të thonë se është një skuadër mediokre, e prishur në verë dhe e ndërtuar me lojtarë të dobët. Klubi është i shthurur, po bën afrime edhe në këto momente që flasim (kujt i plas për rregulloret e futbollit), por mbijetesa në të Parën duket mision i pamundur. Gjithnjë nëse në janar nuk ndërtohet ekip serioz, ose nuk ndërhyn politika.
Dështim edhe Dinamo e Erzeni, dy ekipe me emër, që mund të bënin shumë më tepër, por ose për financa, ose për paaftësi menaxhimi, kanë mbetur shumë pas. Ndërkaq, Tërbuni bën ç’të mundet me pak financa e me ekip të bërë nga e para në verë.
Po Korabi e Vllaznia B? Surpriza pozitive: ekipe të rinj, paga të ulta, punë serioze dhe pa fjalë, por janë vetëm 4 pikë larg vendit të dytë. Nëse vazhdojnë kështu, kanë hedhur themelet për diçka serioze, edhe pse synimi real i Vllaznisë B është evidentimi i talenteve dhe në Shkodër këtë gjë dinë ta bëjnë mirë.
Ndërkaq, në grupin B pas Tiranës është vetëm Bylisi. Skuadra ballsiote ka nisur një projekt të ri, ka ndërruar edhe trajner, skuadra është shumë e re në moshë dhe mendohet për të arfdhmen e largët. Megjithatë, fitorja në Tiranë tregoi se talentet janë me shumicë dhe po punohet mirë, edhe pse humbja në Fier ka qenë tronditëse.
Më poshtë askush nuk mendon për kreun, por vetëm për mbijetesën e qetë.
Pogradeci meriton përgëzime, është gjithnjë aty, mbi mesin e qetë, me një skuadër me çuna vendas dhe me pak shpenzime. Asnjë presion, asnjë frikë.
Tomori e Apolonia janë një dështim kolosal, për emrin që kanë. Duhej të ishin klientë të rregullt të Superiores, ia kanë harruar me kohë shijen të luajturit në elitë. Nuk ka para, nuk ka ide, nuk ka asgjë, e turpshme për dy qytete si Fieri e Berati. Ah, po, Apolonia prodhon talente, i fundit është Blerim Krasniqi, shënuesi më i mirë i së Parës me 9 gola, por sa vlerë ka, kur ia merr Superiorja thuajse falas?
Iliria e Shënkolli janë klubet që dinë mirë si funksionon e Para, tashmë kanë kuptuar si ndërtohen skuadrat për mbijetesë dhe si merren pikët, sidomos në shtëpi. Të dy klubet meritojnë përgëzime, bëjnë më shumë nga sa kanë mundësi.
Shkumbini mbetet në errësirë totale, aq sa tashmë diskuton edhe mbijetesën, ndërsa Turbina paguan revolucionet e shpeshta në skuadër. Në fund, Naftëtari: kjo skuadër zor se mbijeton, për shumë arsye, por mbi të gjitha për faktin se klubi është i çorganizuar dhe pa financa, duke e ndërtuar skuadrën në fund të verës dhe duke mbledhur ç’të gjente, pa stërvitje.