Vasil Bici, anëtar i komitetit ekzekutiv të FSHF-së, i ftuar në “Rubrika Sportive” në RTSH, ka folur për arritjet e Dukës dhe ka zbuluar disa histori… Ai pranoi se do të kandidojë si anëtar komiteti ekzekutiv në datën 7 shkurt: “Do të jem kandidat, më ka propozuar klubi i Besëlidhjes, aty ku jam rritur dhe aty e mora edhe përpara katër vitesh. Fushatë zgjedhore, duket sikur do të votojë populli, shumë e zhurmshme…? Të them të drejtën, është fushatë e cila i ka kaluar përmasat sepse po angazhohet rëndshëm politika. Nuk po lihet në dorë që fatet t’i zgjedhë komuniteti ynë. Jap një shembull: nëse përpara katër vitesh kur unë kandidoja, ishin shefat e klubeve kandidatë, sot janë votues të gjithë kryetarët e bashkive.
Këtu, siç duket, dikush ka bërë përllogaritje me laps. Në kohën e Vatës? Jo, nuk ka ndodhur që Bashkitë të angazhohen kaq shumë me qëllim që të futen në futboll dhe ta gllabërojnë, ta politizojnë, sepse s’i ka ngelur gjë tjetër. Pa ardhur Duka, në ambientet e FSHF vinte era urinë, amoniak. Trajneri i kombëtares merrte 500 mijë. Kishte vetëm 9 punonjës institucioni, por sot ka 90… Kur erdhi Duka, mendova se nuk është i fushës, por futbolli qenka administrim. Mbi 4000 nënshtetësi iu dhanë futbollistëve që militojnë me kombëtaret e ndryshme. Nuk është rastësi ecuria. 76 fusha minifutbolli në Shqipëri janë ndërtuar në mandatet e Dukës”.