Bicaj: Meritoj notën 9, pengu im kartoni në Ballsh

Vendi i dytë në Superiore dhe mbrojtja më e mirë, Bicaj i gëzohet ecurisë së mirë të Flamurtarit: “Në pjesën e dytë të sezonit edhe më mirë. Arbitrat janë bërë bajatë, uroj që viti i ri të jetë ndryshe”

Ditmar Bicaj ka mbyllur një pjesë të parë sezonale thuajse perfekte në aspektin personal, pasi ka luajtur 14 ndeshje si titullar për Flamurtarin dhe ka pasur një rendiment të shkëlqyer. Thuajse perfekte, sepse rëndon një karton i kuq ndaj Lushnjës në Ballsh dhe vetë mbrojtësi i fuqishëm e pranon se e ka ende peng atë karton. Gjithsesi, ka qenë një pjesë e parë sezonale shumë e mirë për Flamurtarin, që në krahasim me një vit më parë pas 16 javëve të para i ka dyfishuar pikët, duke qenë skuadra që është përmirësuar më shumë në Superiore. Kjo ecuri e mirë, me një skuadër të ndërtuar në verë, bën entuziast Bicajn, i cili për Sport Ekspres analizon ecurinë e deritanishme si në aspektin e ekipit, ashtu edhe atë personal.

– Bicaj, 16 javë kampionat, Flamurtari e dyti dhe e mbyll me një fitore të bukur në Kamzë.

– Jemi shumë të kënaqur, Flamurtari ka luajtur ndeshje shumë të mira, jemi të dytët dhe mund të ishim edhe më lart. Për fat, e mbyllëm me një fitore të bukur pjesën e parë të sezonit dhe tashmë shohim për lart.

– Për lart, domethënë kreu, apo mbrojtja e vendit të dytë është prioritet?

– Nuk ka arsye pse të mos shohim edhe nga kreu. Do të duhej të ishim shumë pranë Skënderbeut, por na mungojnë shumë pikë, kryesisht jo për gabimet tona. Jemi në rrugën e duhur dhe në pjesën e dytë të sezonit do të përmirësohemi. Ne shohim vetëm lart, duam të afrohemi me kreun dhe nuk i vendosim limite vetes

– Cili është sekreti i ringjalljes së këtij Flamurtari, që një vit më parë lëngonte në fundin e tabelës?

– Mendoj se kemi një ekip mjaft të mirë, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, duhet të punojmë sa më shumë. Klubi nuk na bën asnjë presion dhe na kërkon vetëm që të luajmë futboll. Nuk kemi probleme financiare dhe skuadra është shumë e bashkuar, ndërsa trajneri Shpëtim Duro ka meritën që ka ndërtuar një ekip cilësor dhe mjaft solid, me lojtarë që e kompletojnë shumë mirë njëri-tjetrin. Nuk është e lehtë të ndërtosh ekip thuajse nga e para.

– Një notë për Flamurtarin deri tani?

– Flamurtari do të ishte edhe më lart dhe do të kishte shumë më tepër pikë, nëse gjithçka do të shkonte mbarë edhe në aspektin e gjykimeve, ndërsa si skuadër mendoj se kemi dhënë maksimumin në çdo ndeshje. Kemi lënë ndonjë barazim ku mendonim fitoren, për fat të keq, ndaj nuk jemi ende në maksimumin tonë, kjo është e kuptueshme.

– Po për veten?

– Vetes do t’i vija notën 9, jo maksimale, sepse e pranoj që ambientimi në Vlorë nuk ka qenë i lehtë dhe në 3-4 javët e para kam qenë pak nervoz, pas atij kartoni të kuq në Ballsh. Ai është pengu im më i madh, por kam pasur mbështetjen e trajnerit dhe shokëve të skuadrës dhe mendoj se tani jam atje ku më kërkohet.

– Prej janarit përforcoheni, janë afruar dy lojtarë dhe pritet ndonjë tjetër.

– Po, janë afruar dy lojtarë. Nedeljkoviç ka një javë që stërvitet me ne dhe duket një lojtar cilësor, mjaft teknik, e njeh mirë portën. Për sa i përket Muaremit, është lojtar me një CV të tillë që nuk ka nevojë për koment.

– Edhe ju përmendët arbitrat, u janë bërë makth.

– Nuk dua të akuzoj askënd, por është bërë shumë bajate sjellja e arbitrave. Më gëzon vetëm fakti që gjithçka monitorohet, televizionet dhe ju si gazetarë keni pasqyruar gjithçka, nuk ka nevojë të ankohemi ne, sepse janë gjëra që i shohin të gjithë.

– Janari, përgatitje intensive. Drejt Turqisë për minifazën?

– Pas festave do të rinisim punën, besoj se do të lëvizim jashtë Shqipërie. Administratori Idrizi ka dëshirë që të shkojmë në Turqi, por nuk është vendosur ende, me sa di unë. Gjithsesi, kudo që të shkojmë, e sigurt është që do të gjejmë kushte optimale për të punuar.

– E ardhmja duket optimiste…

– Po, gjithçka po shkon mbarë dhe jam shumë i kënaqur, viti po mbyllet bukur. U uroj të gjithëve gëzuar festat, duke nisur nga tifozët. Sa më shumë shëndet për të gjithë, ndërsa në aspektin sportiv, sa më pak gabime arbitrash.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *