Beteja për kryeqytetin, zbardhen strategjitë dhe “kalorësit e drejtësisë”

Dita e derbit erdhi. Tirana e Partizani janë gati. Historia është kundër bardhebluve, që nuk fitojnë një derbi që në shkurtin e vitit 2015. Asokohe vendoste një gol i braziliani Gilberto dhe ajo përballje i përket së shkuarës. Dy njerëz të familjes, Ardian Mema dhe Skënder Gega, kanë menduar strategjitë për të “marrë” qytetin. Tirana do vishet bardheblu, apo do mbetet e kuqe. Vendoset pas betejës 90-minutëshe dhe gjithçka nis prej orës 18:00. Diçka është e sigurt: spektakli në tribuna nuk do të mungojë, ndërsa një biletë sot do jetë e vështirë të gjendet në treg.

FORMACIONET DHE ARBITRAT– Ecuria e mirë e të dy ekipeve bën që mos të ketë shumë ndryshime. Mungesa e madhe e derbit është Lorenc Trashi, i pezulluar. Rikthehet i gatshëm Erjon Hoxhallari për Tiranën dhe mbrojtja bardheblu merr “pamjen” e mëparshme, me Imamin që spostohet në qendër krah Turtullit.

Dilema e vetme gjatë kësaj jave ka qenë lojtari që do të luajë në krahun e djathtë të sulmit. Kobina në njërën anë ka shënuar dy gola në takimet e fundit, kurse Doka nga ana tjetër garanton edhe ndihmë për Kërçikun që luan në mbrojtje. Ganezi është favorit, por mbetet për t’u parë deri në momentet e fundit se kush do të luajë titullar.

Te Partizani Gega i është rikthyer sulmit të zakonshëm, duke i shtuar “ansamblit” të treshes Barshi-Asani-Mala edhe Emanuel Mensah. Në ndeshjet e mëparshme patën mundësinë të bindnin Kardozo e Duka. Tanimë nuk ka më prova, Mensah pritet të luajë nga fillimi. “Xholi” Atanda ndërkohë do të aktivizohet në mesfushë krah Telushit.

 

Arbitër kryesor do të jetë Enea Jorgji, kurse gjyqtar tjetër linje është përzgjedhur Juxhin Xhaja. Anësorë do të jenë Dojando Myftari dhe Nertil Bregasi, kurse i katërt Astrit Mahmuti. Emanuela Rusta, e cila ka marrë stemën e FIFA-s së fundmi, do të jetë gjyqtare linje. Dizenjatori i Sektorit të Arbitrave, Sokol Jareci, i ka besuar vajzës nga Elbasani një detyrë të vështirë dhe është një vendim historik. Për herë të parë një gjyqtare femër përzgjidhet për derbin. Gjithashtu në këtë takim gjyqtar linje do të jetë edhe Juxhin Xhaja, gjithashtu arbitër i FIFA-s.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 24

E premte, më 1 mars, ora 18:00
Stadiumi “Selman Stërmasi”, Tiranë

TIRANA-PARTIZANI

Tirana: Abibi – Kërçiku, Turtulli, Imami, Hoxhallari – Mauexhe, Karabeci, Hasani – Kobina, Greca, Ngo. Trajner: Ardian Mema
Partizani: Hoxha – Ibrahimi, Rexhepi, Belica, Idrizaj – Telushi, Atanda – Asani, Mensah, Mala – Bardhi. Trajner: Skënder Gega

Gjyqtarë: Enea Jorgji, Dojando Myftari, Nertil Bregasi, Astrit Mahmuti; Gjyqtar –ë/e linje: Juxhin Xhaja, Emanuela Rusta
Delegat: Marjus Sulejmani

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *