Futbolli është një lloj burse ku protagonistët e tij mund të flenë si heronj dhe të zgjohen në pikën zero. Një mbrëmje e vetme e ndan të gjithë mënyrën sesi komentohet puna e lojtarëve apo e trajnerëve. Kështu edhe Reja, shumë komplimentime kishte për të për mënyrën sesi e vendosi Shqipërinë përballë Spanjës apo për faktin se nuk i la asnjë shans të vetëm Hungarisë në dy ndeshje, me vendosjen taktike të skuadrës.
Por po aq kritika kanë ardhur për të pas rezultateve zhgënjyese në Ligën e Kombeve, ku morëm vendin e fundit. E teksa bëjmë një bilanc të gjithë punës së Rejës, për të ndarë të mirat e të këqijat e tij, duhet të përmendim pikërisht disa nga veçoritë e asaj që ka sjellë dhe që bëri keq te Kombëtarja.
Fillimisht duhet të theksojmë se italiani nuk po arrin dot t’i motivojë futbollistët, që të luajnë në fushën e lojës si të jetë ndeshja e fundit e jetës së tyre. Një kritikë po e madhe vjen për të për faktin se nuk lëviz nga skema me 3 mbrojtës edhe në momentet kur përballemi me rivalë të dobët, teksa luajmë me një portë.
Por nga ana tjetër duhet të përmendim që për herë të parë, skema me dy sulmues te Shqipëria erdhi nga trajneri Reja. Më herët as që mendohej për të aplikuar një futboll të tillë. Kombëtarja e sotme është shumë më sulmuese në vendosje, megjithëse i mungojnë sërish idetë për të dalë përpara pasi nuk ka ende “Ledian Memushaj” apo “Migjen Basha” në gjirin e saj që përveçe thyejnë aksione, ndërtojnë edhe po aq bukur, pavarësisht “yjeve të mëdhenj” që na kanë mbërritur. Askush nuk mund të “ledhatojë” dot topin.
Ndërkohë sa i përket rezultateve me kohën e De Biazit, është një çudi më vete. Për shkakun se me këtë trajner kemi shkuar në Europian dhe me Rejën jemi zhgënjyer së fundmi, duket si një Shqipëri kaq shumë e kundërt ajo e dy teknikëve italianë.
Por në kohën e De Biazit, që drejtoi Shqipërinë për 51 ndeshje, mori mesatarisht 1.31 pikë për takim. Ndërkohë në periudhën e Rejës, me 34 ndeshje, janë marrë mesatarisht 1.38 pikë për takim. Pra rezultatet janë thuajse identike, Reja paksa më mirë, vetëm se në kohën e De Biazit janë fituar pikërisht ato finale që ne kërkonim për të shkruar historinë tonë.
Disa thonë se Reja, ndryshe nga De Biazi, ka luksin që të drejtojë lojtarë që janë pjesë e elitës së futbollit në Europë. Megjithëse këta futbollistë nuk po e thonë ende fjalën e tyre nga minuta e parë në klubet e tyre, por pyetja që shtrohet është: “Më e lehtë të menaxhosh Armando Sadikun e Luganos apo Armando Brojën e Chelsea? Më lehtë mund të motivosh Burim Kukelin e Zurich apo Kristjan Asllanin e Interit? Pra është çështje subjektive, asnjëherë futbolli nuk është shkencë ekzakte. /Sport Ekspres/