Përtej shifrave, parave, emrave dhe historisë, futbolli është sporti më i bukur pasi na tregon se të gjithë jemi të barabartë ndaj njëri-tjetrit. Madje, në disa raste më i vogëli mund të mposht më të fuqishmin, gjë kjo e cila nuk ndodh kurrsesi në pjesët e tjera të jetës.
Shembulli konkret ishte tronditja që i shkaktoi Maqedonia e Veriut asaj të Italisë duke e mundur në transfertë me shifrat 0-1, për t’i mohuar Botërorin. Pa emra të mëdhenj, por futbolli luhet me zemër. Besojeni ose jo, por autori i golit që vendosi eliminimin e Italisë kushton vetëm 350 mijë euro sipas Transfermarkt.
Bëhet fjalë për Aleksandar Trajkovski, sulmuesi 29-vjeçar që më parë ka qenë pjesë e Mallorca dhe tani luan me Al Faya. Ndërkohë 400 mijë euro është vlera e Eneo Bitrit te Partizani sipas Transfermarkt, ndërsa në vlerën e 350 mijë euro, sa Trajkovski, kemi pafund lojtarë të Superiores si: “Ismajgleci, Totre, Hoxhallari, Shehu, Bekaj, Krymi, Limaj, Marku, Seferi, Kallaku, Xhixha, Hakaj, Fejiao”. /Sport Ekspres/