Arsen Hajdari synohet që të jetë përforcimi i radhës ne skuadrën lezhjane
Bernard Gjikolaj
Besëlidhja është në kulmin e përgatitjeve dimërore, por merkato tashmë është në fazën më intensive. Besëlidhja tani ka nisur lëvizjet zyrtare, ku së shpejti pritet që t’i bashkohen Bekim Dema dhe Arsen Hajdari. Ky i dyti është një emër i njohur në Lezhë, pasi ka luajtur sezonin 2015-2016. Pritet që këta dy futbollistë t’i bashkohen skuadrës në stërvitje deri në fundjavë, gjithashtu priten edhe të tjerë.
KAMARA – Guineasi Oumar Turad Kamara është njëri ndër mesfushorët titullarë që po performon mjaft mirë, këtë e ka treguar me lojën dhe golat që ka realizuar deri tani, ndaj edhe për gjysmën e dytë të sezonit e ka të sigurt vendin në formacionin bazë. Gjatë një bisede enkas për “Sport Ekspres” Oumar Turad Kamara u shpreh kështu: “Fanella e Besëlidhjes për mua është e para që kam veshur si titullarë i një skuadre me traditë dhe për këtë jam mjaft i lumtur pasi shpresoj që ky sezon të jetë i fundit në këtë nivel inferior. Faza përgatitore dimërore, ndonëse është e shkurtër dhe shumëkush ka dëshirë ta quajë minifazë, kjo për mua është shumë e rëndësishme. Deri më tani, skuadra po shkon shumë mirë në stërvitje dhe besoj se tani do të nisim edhe miqësoret, nga ku do të testohemi në ngarkesë ë plotë. Shpresoj se në drejtimin teknik të këtij stafi skuadra do të ketë sukses, këtë e shikoj çdo ditë në seancat stërvitore, gjithsesi gjithçka do të vërtetohet në arenën e blertë kur të nisë gjysma e dytë e sezonit futbollistik. Ne kemi një objektiv madhorë që është ngjitja në Superiore, por tani po mendojmë për të qëndruar në pesëshen e parë, atu ku fazën e tretë nis lufta finale për një vend në elitë”, – tha mesfushori guineas i Besëlidhjes, Oumar Turad Kamara.