Besart Berisha e ka mbyllur bukur vitin 2017, sepse sot ishte protagonist në fitoren 2-1 që Melburn Viktori arriti në shtëpi ndaj Njukasëll Xhets.
Sulmuesi shqiptar shënoi golin e fitores në minutën e 53-të, ndërkohë që pjesa e parë ishte mbyllur 1-1. Fitorja ka ngjitur në vendin e tretë Melburnin, që e nisi dobët sezonin, por ka pasur rritje graduale dhe tashmë është brenda objektivave, sepse edhe vendi i gjashtë vlen për të shkuar në play-off, aty ku Viktori do të japë gjithçka vitin e ardhshëm.
Berisha ka shënuar 5 gola në 11 ndeshje kampionati, një rendiment ende jo në nivelet e tij të zakonshme, por ka shënuar 4 herë golin e parë të ndeshjes për Melburnin dhe ka vuajtur jo pak dobësimin e skuadrës në merkaton verore.
Rëndësia e Berishës për Melburn Viktori është e padiskutueshme, aq sa javën e shkuar erdhi edhe rinovimi i kontratës.
Në vitin 2018 Besart Berisha pret të bëhet qytetar australian, sepse luan në Australi prej vitit 2011 dhe sipas ligjit, mjaftojnë 5 vite aty për marrë nënshtetësinë. Kjo ka ndikuar edhe në rinovimin e shpejtë të kontratës, sepse tashmë Viktori liron një vend për një futbollist të huaj.
“Shpresoj që në janar ose shkurt të bëhem australian, do ishte diçka fantastike. Po e pres me padurim, ky është vendi ku nisa të luaj sërish futboll cilësor dhe të arrija gjëra të mëdha. Jam shumë mirënjohës për këtë dhe kjo është arsyeja pse jam ende në këtë vend. E dua shumë Australinë, është treguar e mrekullueshme me mua. Më kërkonin edhe në vende të tjera, por vendosa të rinovoj me Melburnin, pasi aty kam gjetur klubin e duhur, për të krijuar histori, për të fituar trofe e për të arritur suksese”, deklaroi Berisha në mediat australiane ditët e fundit. Për saktësim, Berisha nuk mund të luajë për kombëtaren e Australisë, pavarësisht se do të bëhet australian, sepse ka luajtur më parë për Shqipërinë e Kosovën.
It feels good #MVCvNEW #MVFC pic.twitter.com/UgYU4JsI1o
— Melbourne Victory (@gomvfc) December 29, 2017