Ardhjet e para janë tre-ish gjirokastritët Festim Miraka, Brixhild Brahimaj e Mikel Hoxha si dhe qendërmbrojtësi durrsak Dajan Shehi
Fatmir Efica
Ora 14:00 e ditës së djeshme e ka gjetur Besën të rreshtuar në fushë për seancën e parë stërvitore të vitit 2018. Seanca është drejtuar nga zëvendës-trajneri Edmond Kodra, pasi trajneri Bledar Sinella është kthyer mbrëmë vonë nga Italia ku ka kryer pushimet e festave të fundvitit pranë familjarëve të tij. Nga kontaktet e para me drejtuesit e Besës, mësuam se do të ketë fillimisht një grup lojtarësh që do të dublojnë shpejt numrin e pesë të larguarve nga ekipi kavajas në fund të vitit që lamë pas. Konkretisht mungesat e portierit Ariol Kaloshi, mbrojtësve Ervis Kaja dhe Erand Hoxha, mesfushorit Enea Isufi dhe sulmuesit Mario Morina, që Besa i konsideron më tepër të vetëlarguar se sa të nxjerrë jashtë preferencave.
PROBLEMET – Momentalisht, siç u pa dhe dje vijojnë shqetësimet nga katër lojtarë që janë ende të dëmtuar. Konkretisht mesfushorët Mirel Duka e Edmond Hoxha dhe sulmuesit Emrush Kaloshi e Tedi Cara. Vetëm Edmond Hoxha nuk ka mundur dje të dalë në stërvitje ndërsa tre lojtarët e tjerë e kanë kryer seancën të veçuar, jashtë programit të grupit. Brenda këtij muaji shpresohet sipas mjekut fizioterapist të Besës, Ferdinant Bardhi, në rehabilitimin e plotë të këtyre katër futbollistëve dhe më pas përfshirjen e tyre në formacionin titullar.
MERKATO – Janë konfirmuar dje katër emrat e parë. Portieri me përvojë, 30-vjeçari Festim Miraka dhe dy gjirokastritët e tjerë, mesfushorët Brixhild Brahimaj dhe Mikel Hoxha. Edhe për qendërmbrojtësin durrsak Dejan Shehi që në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar qe aktivizuar te Besa, u pohua se ai do të jetë sërish pjesë e Besës gjatë vitit 2018. Këto katër ardhje lojtarësh nga Superiorja, tre nga Luftëtari e një nga Teuta, tregojnë se Besa e ka nisur seriozisht merkaton. Ndërsa presidenti Nexhat Bizhdili nënvizoi dje për “Sport Ekspres” se do të ketë edhe 4-5 afrime të tjera kryesisht me lojtarë nga Kosova. Ndërkohë, dje janë afruar e stërvitur me Besën krahas portierit të dytë Bruno Puja i cili që nga fillimi i sezonit është stërvitur tek të rriturit, edhe dy sulmuesit kavajas të skuadrës U-19 Ergys Gjongecaj që sezonin e kaluar ka qenë golashënuesi më i mirë të skuadra e të rinjve dhe sulmuesit tjetër Nikolla Zhava. Ky i fundit pak kohë më parë pati kryer një testim në Barleta të Barit në Itali.